Nga nafta te interneti/ Irani po shqyrton kontrollin mbi kabllot nënujore në Hormuz
Irani po shqyrton mundësinë e përdorimit të kabllove nënujore si një formë të re presioni në rajonin e Ngushticës së Hormuzit, sipas raportimeve dhe deklaratave të lidhura me Gardën Revolucionare.
Sipas këtyre informacioneve, Teherani po mendon të vendosë tarifa për kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe telekomunikacionit që përdorin kabllot me fibra optike që kalojnë në këtë zonë strategjike.
Mes kompanive të përmendura janë Google, Microsoft, Meta dhe Amazon, edhe pse nuk është e qartë se si do të zbatohej një skemë e tillë në praktikë, duke marrë parasysh sanksionet ndërkombëtare.
Kabllot nënujore në Ngushticën e Hormuzit janë pjesë e një rrjeti global që lidh Azinë, Evropën dhe Afrikën dhe mbart pjesën më të madhe të komunikimeve dixhitale, përfshirë të dhëna financiare, shërbime online dhe sisteme kritike.
Ekspertët e telekomunikacionit thonë se çdo ndërhyrje në këtë infrastrukturë do të kishte pasoja të mëdha, jo vetëm për internetin, por edhe për bankat, tregjet financiare, shërbimet cloud dhe komunikimet shtetërore.
Megjithëse nuk ka shenja se një veprim i tillë është i afërt, lëvizja shihet si një përpjekje e Iranit për të shtuar mjetet e presionit, duke kaluar nga kontrolli i rrugëve të naftës te kontrolli i rrjedhës së të dhënave globale.

