Trump hap skenarin e ri për Iranin/ Propozon pezullim 20-vjeçar të programit bërthamor

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se mund të pranojë një pezullim 20-vjeçar të programit bërthamor të Iranit, duke ndryshuar disi qëndrimin e mëparshëm të SHBA-së që kërkonte ndalimin e përhershëm të pasurimit të uraniumit.

Sipas raportimeve të BBC, Trump e ka bërë këtë koment gjatë një bisede me gazetarët në avionin presidencial “Air Force One”, pas takimit në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping.

Ai ka shtuar se një periudhë 20-vjeçare do të ishte e mjaftueshme, por vetëm nëse ka garanci të forta që marrëveshja do të respektohet.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur bisedimet për armëpushim dhe marrëveshje bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të bllokuara.

Raportohet se Pakistani po përpiqet të luajë rol ndërmjetësues mes palëve, por propozimet e fundit nuk janë pranuar si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Teherani.

Nga ana tjetër, mediat iraniane thonë se Teherani ka propozuar ndalimin e menjëhershëm të konfliktit dhe heqjen e bllokadave, si dhe garanci që sulmet ndaj tij të mos përsëriten.

Trump ka përsëritur gjithashtu se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe ka kërkuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e lidhur situatën me rritjen e çmimeve të naftës në botë.

Kjo është hera e parë që ai përmend publikisht një afat të tillë 20-vjeçar, pasi në të kaluarën ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.