Plani amerikan për raketat në Gjermani bie poshtë/ Anulohet vendosja e Tomahawk-eve, Berlini mbetet me boshllëk mbrojtës

Gjermania dhe SHBA kanë pasur një plan për vendosjen e raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Gjermani si masë mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia, por ky plan nuk do të realizohet.

Sipas marrëveshjeve të mëparshme, në Gjermani pritej të vendoseshin raketa Tomahawk me rreze deri në 2.500 kilometra, të cilat mund të arrinin objektiva shumë larg, përfshirë edhe territorin rus.

Kjo shihej si një mënyrë për të forcuar mbrojtjen e Gjermanisë derisa vendi dhe Evropa të zhvillonin armë të ngjashme.

Megjithatë, plani është anuluar nga administrata e re amerikane, së bashku me tërheqjen e një pjese të trupave amerikane nga Gjermania.

Kjo ka krijuar shqetësim në Berlin, ku ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka pranuar se vendi mbetet me një boshllëk në kapacitetet mbrojtëse.

Rusia ndërkohë ka vendosur raketa me rreze të mesme në rajonin e Kaliningradit dhe në Bjellorusi, të cilat mund të arrijnë vende të ndryshme në Evropë, përfshirë edhe Gjermaninë.

Kjo e rrit ndjesinë e pasigurisë dhe nevojën për mbrojtje më të fortë.

Gjermania po kërkon tani mënyra të tjera për të forcuar mbrojtjen, përfshirë blerjen e raketave nga SHBA dhe zhvillimin e dronëve me rreze të gjatë në bashkëpunim me Ukrainën. Megjithatë, një pjesë e këtyre projekteve pritet të zgjasë disa vite para se të jenë gati për përdorim.