“Klima politike e ngarkuar”/ Muhaxheri: Gjuha e vazhdueshme politike krijon presion mes mbështetësve
Në një lidhje direkte për Ora News, analisti Arton Muhaxheri foli për klimën politike në Kosovë, pas incidentit të ndodhur në Skenderaj dhe debatit të krijuar në opinion publik.
Ai tha se ngjarja nuk shihet si rast i izoluar, por si pjesë e një situate më të gjerë tensionesh që po shoqërojnë fillimin e fushatës zgjedhore.
“Sipas mënyrës si janë zhvilluar ngjarjet në javët e fundit, kemi një klimë të ngarkuar politike dhe një rritje të gjuhës së ashpër. Këto situata nuk ndodhin të shkëputura, por krijojnë një zinxhir tensionesh që ndikon drejtpërdrejt në fushatë.”-tha ai.
Muhaxheri vuri në dukje se incidenti në Skenderaj dhe reagimet politike që pasuan kanë shtuar ndarjet mes palëve, duke e bërë më të vështirë një debat normal elektoral.
“Problemi kryesor është gjuha politike. Kur ajo bëhet e fortë dhe e vazhdueshme, ajo reflektohet në terren dhe krijon presion mes mbështetësve. Kjo është diçka që duhet shmangur, sidomos në periudhë zgjedhore.”-shtoi Muhaxheri.
Ai shtoi se përplasjet dhe akuzat e ndërsjella mes aktorëve politikë po ndikojnë në perceptimin publik dhe po rrisin polarizimin në vend.
Në fund, analisti theksoi se fushata ende nuk ka hyrë në fazën e saj kryesore, por klima aktuale tregon se gara pritet të jetë e fortë dhe me tensione të vazhdueshme.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË "ORA NEWS" NË ORA NEWS:

