Marta Kos 'zbarkon' në Prishtinë para zgjedhjeve/ Takime kyçe me Kurtin dhe krerët e institucioneve

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ndodhet sot në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime me drejtuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës.

Vizita nis me takimin mes saj dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pas bisedimeve, të dy pritet të dalin në një konferencë të përbashkët për media në orën 10:45.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Marta Kos do të takohet edhe me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë reformat që lidhen me rrugën evropiane të Kosovës, si dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nga projektet kryesore të BE-së për rajonin.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Marta Kos në Kosovë që pas marrjes së detyrës si komisionere për Zgjerim në vitin 2024. Vizita vjen në një moment të rëndësishëm politik për vendin, vetëm tri javë para zgjedhjeve të reja që do të mbahen më 7 qershor.

Vizita merr rëndësi edhe për shkak të situatës gjeopolitike në rajon dhe mesazheve të fundit të dhëna nga zyrtarët evropianë për Ballkanin Perëndimor. Pak ditë më parë, gjatë takimit të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Bratislavë, Marta Kos foli për rëndësinë që ka integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian në kushtet e tensioneve ndërkombëtare dhe ndikimeve të jashtme destabilizuese.

Ajo kishte planifikuar të vizitonte Kosovën edhe më 12 mars, por udhëtimi u anulua për shkak të zhvillimeve politike në vend, pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau parlamentin më 6 mars, pas mungesës së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.