S*LME NË LIBAN/ G*ditjet ajrore në Jug lënë 13 v*ktima e dhjetëra të plagosur
Sulme ajrore izraelite në jug të Libanit kanë shkaktuar të paktën 13 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Mes të vrarëve janë edhe dy punonjës të shërbimit të mbrojtjes civile që ndodheshin në një mision shpëtimi. Autoritetet libaneze akuzojnë forcat izraelite për shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare, ndërsa ushtria izraelite ka deklaruar se po verifikon raportimet mbi incidentet.
Situata në jug të Libanit është përshkallëzuar ndjeshëm pas një vale të re sulmesh ajrore izraelite që kanë goditur disa zona civile dhe objekte banimi.
Sipas mediave shtetërore libaneze, një shtëpi në Kfar Dounine është goditur gjatë natës, duke shkaktuar gjashtë viktima dhe disa të plagosur, mes tyre edhe civilë.
Në një tjetër incident në qytetin Nabatieh, dy mjekë të shërbimit të mbrojtjes civile humbën jetën gjatë një operacioni shpëtimi, ndërsa një koleg i tyre mbeti i plagosur rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga autoritetet libaneze, të cilat e cilësojnë sulmin si shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar.
Presidenti libanez, Joseph Aoun shprehu keqardhje për humbjen e jetës së punonjësve të emergjencës dhe theksoi se sulmet e vazhdueshme po pengojnë përpjekjet për stabilitet në vend.
Ministria e Shëndetësisë akuzoi drejtpërdrejt forcat izraelite për shënjestrim të ekipeve mjekësore gjatë detyrës.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se po heton rastet e raportuara dhe se operacionet e saj synojnë militantë dhe infrastrukturë të Hezbollahut.
Në zonat e tjera të jugut janë raportuar edhe sulme me dronë dhe raketa, duke rritur më tej tensionet mes palëve.
Pavarësisht armëpushimeve të mëparshme dhe përpjekjeve ndërkombëtare për negociata, konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut vijon të mbetet i hapur dhe i rrezikshëm për stabilitetin rajonal.
