DOKUMENTI/ Presioni “tullë” mbi KLP-në: Kur i pandehuri teston kufijtë e shtetit

Shkresa e fundit e avokatit të pandehur në GJKKO, avokatit të akuzuar nga SPAK-u që bën dhe rolin e avokatit të Erion Veliajt, Plarent Ndreca, drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nuk është kërkesë për informacion.

Është një përpjekje e hapur presioni institucional, e ndërtuar me një teknikë të vjetër manipulimi procedural: së pari shpallet si e kryer një tezë juridike e debatueshme, pastaj institucionit i kërkohet vetëm të pohojë nëse ka qenë apo jo në dijeni të saj.

Në këtë shkresë, avokati i Erion Veliajt, i pandehuri në GJKKO dhe i akuzuar nga SPAK, Plarent Ndreca, nuk pyet nëse ekziston apo jo një vendimmarrje kolegjiale e KLP-së. Nuk kërkon sqarim mbi procedurën e ndjekur. Nuk kërkon interpretim institucional. Ai e jep vetë përfundimin.

Shkresa e nënkryetarit Erind Gërmenji trajtohet si “akt personal”, shpallet paraprakisht “nul”, ndërsa i atribuohet edhe pasoja më e rëndë e mundshme: “heqja e kompetencës” së organit kolegjial kushtetues.

DOKUMENTI/ Presioni “tullë” mbi KLP-në: Kur i pandehuriDOKUMENTI/ Presioni “tullë” mbi KLP-në: Kur i pandehuriDOKUMENTI/ Presioni “tullë” mbi KLP-në: Kur i pandehuri

Dhe pasi e ndërton gjithë këtë narrativë si fakt të kryer, anëtarëve të KLP-së u drejton pyetjen: a keni qenë në dijeni?

Ky nuk është kërkim informacioni. Ky është formulim i qëllimshëm që synon të mbyllë paraprakisht çdo debat juridik.

Është një pyetje e ndërtuar për të mos lënë hapësirë për përgjigjen thelbësore: “Premisa juaj është e gabuar.”

Pra, nuk kemi të bëjmë me një të pandehur që pyet institucionin për të marrë përgjigje, por me një pandehur që tenton t’i imponojë institucionit kornizën e përgjigjes.

Nëse anëtarët përgjigjen “po”, legjitimojnë tezën e tij. Nëse përgjigjen “jo”, duken sikur kanë qenë të painformuar për një pretendim të rëndë. Ndërsa alternativa e vetme juridikisht serioze, rrëzimi i premisës së ngritur artificialisht, tentohet të përjashtohet nga vetë formulimi i pyetjes.

Ky është presion “tullë” mbi një organ kushtetues

Askush nuk i drejtohet një institucioni të pavarur me formulime që i japin vetë përgjigjen dhe i lënë vetëm detyrën ta vulosin.

Kur një palë në proces tenton t’i diktojë KLP-së jo vetëm çfarë të shqyrtojë, por edhe si duhet ta kuptojë juridikisht çështjen, nuk kemi më mbrojtje ligjore. Kemi tentativë për dirigjim institucional.

Dhe kur kjo bëhet në kulmin e një procesi penal ku objektivi real është delegjitimimi i prokurorit që heton, atëherë kemi diçka edhe më të rëndë: një strategji të pastër presioni ndaj institucioneve të drejtësisë, e paketuar si “kërkesë për informacion”.

Nga ana tjetër, problemi nuk është vetëm gjuha e përdorur nga i pandehuri. Problemi real është klima institucionale që e bën të mundur një gjuhë të tillë.

Kur një i pandehur, përmes avokatit të tij të pandehur gjithashtu, i drejtohet një organi kushtetues me tone që jo vetëm kërkojnë llogari, por i parapërcaktojnë edhe përgjigjen, kjo tregon se është krijuar perceptimi se institucionet mund të vihen nën trysni, mund të orientohen, mund të testohen deri ku rezistojnë.

Një institucion i fortë nuk e lejon as krijimin e këtij perceptimi

Vetë fakti që dikush guxon t’i shkruajë KLP-së në këtë formë, duke i servirur si të provuara konkluzione juridike dhe duke i vendosur anëtarët para një pyetjeje të manipuluar, është tregues i një bindjeje paraprake se terreni institucional perceptohet si i depërtueshëm.

Dhe kur kjo bashkohet me zvarritjet e pafundme të procesit penal, tabloja bëhet edhe më shqetësuese, sepse krijohet ideja e një strategjie të dyfishtë: nga njëra anë, shtyrje dhe fragmentim procedural i procesit penal, për ta konsumuar kohën, energjinë dhe vëmendjen publike; nga ana tjetër, bombardim paralel institucional me kërkesa, padi, ankesa dhe narrativa presioni, me synimin për të delegjitimuar hallkat që kanë marrë vendime të pakëndshme.

Ky është mekanizmi klasik i konsumimit institucional. I pandehuri nuk sulmon drejtpërdrejt vendimin penal në themel, por krijon një mjegull procedurale rreth gjithçkaje, derisa vetë institucioni të lodhet duke u justifikuar.

Dhe këtu lind pyetja më serioze për shtetin e së drejtës: A kemi institucione që imponojnë autoritetin e tyre ndaj palëve, apo palë që testojnë çdo ditë kufijtë e autoritetit institucional?

Kur një i pandehur arrin ta zhvendosë debatin nga akuzat ndaj tij te legjitimiteti personal i prokurorit, te procedurat e KLP-së, tek interpretimet anësore, te beteja të pafundme administrative, atëherë procesi penal rrezikon të humbasë boshtin e vet.

Drejtësia fillon të sillet rreth të pandehurit, në vend që i pandehuri të përgjigjet përballë drejtësisë. Dhe ky është sinjali më i qartë i dobësisë institucionale./ CNA