“BE ndryshoi rregullat”/ Eksperti Kamberi tregon pse vendet e Ballkanit po 'ecin' me ritme të ngadalta drejt Europës
Eksperti i çështjeve të integrimit, Geron Kamberi, i ftuar në studion e Ora News, foli për ngadalësimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe arsyet pse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur prej 13 vitesh jashtë BE-së.
Sipas tij, që nga anëtarësimi i Croatia në vitin 2013, Bashkimi Europian nuk ka pasur më zgjerim me vende të Ballkanit Perëndimor, duke shënuar periudhën më të gjatë pa anëtarësime të reja në historinë e unionit.
“Që nga anëtarësimi i Kroacisë në 2013 dhe deri në 2026 kanë kaluar 13 vite pa anëtarësime të reja nga Ballkani Perëndimor. Kjo është periudha më e gjatë në historinë e Bashkimit Europian, pasi më parë zgjerimi ndodhte brenda çdo 10-vjeçari.”-tha ai.
Kamberi shpjegoi se ndryshimi i qasjes erdhi pas një strategjie të re të Bashkimit Europian, e ndikuar nga debatet për “lodhjen nga zgjerimi”, rritjen e partive të djathta populiste dhe kërkesat e presidentit francez Emmanuel Macron për një proces më të fortë kontrolli ndaj vendeve kandidate.
Ai tregoi se metodologjia e re ka ndryshuar mënyrën e negociatave, duke grupuar 35 kapitujt e anëtarësimit në gjashtë grup-kapituj tematikë, ku vendet duhet të përballen fillimisht me çështjet më të ndjeshme.
“Procesi tashmë nis me grup-kapitullin e parë, ku përfshihen kapitujt 23 dhe 24 për shtetin e së drejtës, gjyqësorin dhe luftën kundër krimit të organizuar. Kjo e ka bërë më të vështirë dhe më të ngadaltë rrugën drejt Bashkimit Europian.”-shtoi Kamberi.
Sipas ekspertit, Bashkimi Europian po vendos tashmë standarde më të forta që në fazat e para të negociatave, duke kërkuar rezultate konkrete në sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve para çdo hapi tjetër në procesin e anëtarësimit.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

