ÇELJA E PROJEKTIT “EU FOR DEMOCRACY”/ Gonzato: Reformat kërkojnë transparencë dhe zbatim të plotë

Bashkimi Europian e konsideron një projekt ambicioz synimin për mbylljen e kapitujve negociues deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Ambasadori Silvio Gonzato theksoi se krahas këtij objektivi, duhet të ruhet jo vetëm ritmi i reformave, por edhe zbatimi i tyre.

"Reformat që kanë të bëjnë me BE duhet të jenë të përgatitura mirë dhe të vihen në zbatim tërësisht. Miratimi i legjislacionit duhet të ecë krah për krah me mbikëqyrjen nga Kuvendi, me pjesëmarrjen publike dhe me transparencën. Reformat që lidhen me integrimin në BE ndikojnë në jetën e çdo qytetari."-tha Gonzato.

Krahas kësaj, shefi i delegacionit të BE-së në vendin tonë theksoi se projekti për fuqizimin e Kuvendit synon, ndër të tjera, edhe nxitjen e dialogut ndërpartiak, ku u ndal edhe te dakordësia për rregulloren e Kuvendit.

"Kjo qasje konstruktive është shumë e rëndësishme për legjitimitetin, sepse institucionet demokratike nuk funksionojnë vetëm me pjesëmarrjen e mazhorancës në votim."-tha ambasadori.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi rëndësinë e projektit për rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit, të lançuar këtë të martë në Kryesinë e Kuvendit.

"Projekti do të mundësojë edhe më shumë gjithëpërfshirje në procesin e integrimit."-nënvizoi Peleshi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja demokrate Jorida Tabaku nuk e la pa përgjigje kryetarin e Kuvendit, Peleshi. Ajo u ndal edhe te disa problematika që, sipas saj, pengojnë procesin e integrimit dhe gjithëpërfshirjen në rrugën drejt BE-së.

Sa i takon miratimit me shpejtësi të ligjeve përafruese me BE-në, Peleshi dha shpjegimet e tij.