Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, analisti Neza: Rrugëtimi dhe antarësimi i Shqipërisë të bazohet tek "merita”…

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë dinamike, ku axhenda e ngjeshur dhe zhvillimet e shpejta reflektojnë një kontekst të ri gjeopolitik.

Sipas analistit dhe gazetarit Sami Neza, lufta në Ukrainë ka detyruar Brukselin të ndryshojë thelbësisht qasjen ndaj procesit të zgjerimit, duke e shndërruar atë nga një çështje perspektive afatgjatë në një çështje që kërkon zgjidhje të shpejtë. Në një analizë të situatës, Neza thekson se Bashkimi Europian po kërkon të krijojë mekanizma për një aksesim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky përshpejtim, megjithatë, nuk nënkupton një heqje dorë nga kriteret, por një vendosje paralele të nevojës gjeopolitike përkrah tyre.

"Nuk është se ka ndryshuar Shqipëria, por ka ndryshuar Bashkimi Europian," ka cituar analisti Neza kryeministrin Rama, duke argumentuar se ritmet e përafrimit janë përshpejtuar ndjeshëm si pasojë e këtij realiteti të ri. Ky ndryshim paradigme ka nxjerrë në pah një dallim thelbësor mes qasjes së qeverisë dhe asaj të opozitës në Shqipëri.

 Ndërsa zyrtarët europianë i kanë cilësuar si "spekulime" pretendimet për ngecje të negociatave, debati i brendshëm politik fokusohet në dilemën mes anëtarësimit të bazuar në merita dhe atij të shtyrë nga urgjenca gjeopolitike. Sipas analistit Neza, opozita i “mëshon” fort parimit të meritokracisë.

Për ta, përmbushja e reformave dhe kritereve është thelbësore, pasi kjo do të sillte një situatë më të mirë për demokracinë dhe qytetarët.

Shqetësimet e opozitës lidhen me një mungesë të meritës në proces dhe me dyshimet se veprimet e qeverisë nuk justifikohen realisht për hir të anëtarësimit, por mund të kenë qëllime të tjera. Nga ana tjetër, qeveria duket se po tenton të përfitojë nga momenti gjeopolitik.

Neza përmend si dëshmi letrën e përbashkët të kryeministrit Rama dhe presidentit serb Vuçiç në një gazetë gjermane, ku sipas tij, kërkohej që BE të anashkalonte kriteret politike dhe të fokusohej tek ato ekonomike.

Kjo qasje, sipas analistit, tregon një lënie pas dore të nevojës për merita nga ana e ekzekutivit. Pavarësisht këtij presioni, qëndrimi zyrtar i Brukselit mbetet i qartë.

Si drejtuesit e  Parlamentit Europian, ashtu edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, kanë theksuar se anëtarësimi i bazuar në “merita” do të ketë gjithmonë përparësi. Kjo situatë e vendos Shqipërinë përballë një sfidë të dyfishtë: të lundrojë mes një debati të ashpër të brendshëm politik dhe një peizazhi gjeopolitik ndërkombëtar në ndryshim të vazhdueshëm.