Zvarritja e qëllimshme e institucioneve/ Koçi: Ja si po i shërben ngërçi politik Serbisë për të shmangur planin Franko-Gjerman

Mosformimi i institucioneve të reja në Kosovë po shihet si një strategji e qëllimshme për të shmangur përballjen me obligimet që dalin nga marrëveshja Franko-Gjermane.

Për të folur më tepër për këtë temë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte analisti Melazim Koçi, i cili u shpreh se ky ngërç politik po e dëmton Kosovën në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm, ndërkohë që i shërben drejtpërdrejt interesave të Serbisë.

Në Prishtinë është debatuar gjerësisht mbi motivet e vonesës në kompletimin e institucioneve, përfshirë formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit e kryetarit të parlamentit. Pikëpamja dominuese është se kjo nuk është një vonesë e rastësishme, por një "zvarritje e qëllimshme". Qëllimi kryesor i kësaj taktike besohet se është shmangia e ballafaqimit me detyrimet që burojnë nga marrëveshja e dakordësuar në Bruksel dhe Ohër, të cilën kryeministri Albin Kurti e ka pranuar.

" Deklarata e zonjës Kallas është absolutisht e saktë, madje e kisha për t'i shtuar diçka.

Këtu në Prishtinë është debatuar shumë se cili është motivi i zvarritjes së kompletimit të institucioneve, pra, formimit të qeverisë, zgjedhjes së kryetarit të parlamentit dhe presidentit ose presidentes.

Në bindjen time, kemi të bëjmë me zvarritje të qëllimshme, me mënyrë që të shmanget ballafaqimi me obligimet që dalin nga marrëveshja franko-gjermane, që kryeministri Kurti e ka pranuar në Bruksel dhe në Ohër. Rrjedhimisht, mendoj që zonja Kallas ka të drejtë.

Ajo kërkon përshpejtim të procesit. Mendoj që Kosova është duke u dëmtuar që ka ngecur dialogu për një fakt shumë të thjeshtë.

Ngecja, ndërprerja e dialogut e mban status quo-në. Status quo-ja është në favorin e Serbisë. Është në favorin e Serbisë, sepse Beogradi në këtë mënyrë shmang njohjen de facto që del nga marrëveshja franko-gjermane dhe pret, pret në bindjen time rrethana të reja ndërkombëtare, në mënyrë që me fuqizimin, siç presin ata, të Kinës dhe Rusisë, ta kapitalizojë atë situatë të re", u shpreh Koçi.

Ndiqni intervistën e plotë: