Brukseli kërkon të zhbllokojë dialogun Kosovë–Serbi / Ministrat e Jashtëm të BE dhe Ballkanit mblidhen më 11 maj

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimi Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë më 11 maj një takim të përbashkët, ku në fokus do të jenë situata në rajon, procesi i integrimit europian dhe dialogu mes Kosovo dhe Serbia.

Takimi do të mbledhë 27 ministrat e Jashtëm të BE-së dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimet pritet të përqendrohen te forcimi i bashkëpunimit me rajonin, harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së dhe përballja me ndikimet e jashtme.

Një nga temat kryesore do të jetë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në Bruksel ekziston shqetësimi se procesi nuk po ecën me ritmin e dëshiruar, pavarësisht disa zhvillimeve të muajve të fundit.

Diplomatët europianë vlerësojnë se situata politike në të dy vendet ka ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e dialogut. Në Kosovë, kriza politike dhe proceset zgjedhore të vazhdueshme kanë vështirësuar krijimin e stabilitetit institucional, ndërsa në Serbi vazhdojnë protestat pas ngjarjes tragjike në Novi Sad.

Në diskutime pritet të përmendet edhe samiti BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në qershor në Tivat.

Në qendër të vëmendjes do të jetë edhe roli i përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e cila pritet të angazhohet për një raund të ri bisedimesh mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i fundit në nivel liderësh mes dy vendeve është mbajtur në vitin 2023, ndërsa gjatë vitit të fundit procesi ka mbetur pothuajse i bllokuar për shkak të zhvillimeve politike në të dyja shtetet.