Vuçiç "shpërthen" ndaj BE-së, ndalon komunikimin me Marta Kos pas 'ngrirjes' së fondeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ashpër ndaj Komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, pas vendimit të Bashkimit Europian për të pezulluar përkohësisht fondet për Serbinë.

Vuçiç tha gjatë një vizite në Šid se ka ndaluar komunikimin me disa zyrtarë europianë, të cilët sipas tij nuk kanë qëndrime të drejta ndaj Serbisë.

Ai përmendi edhe Marta Kos, duke thënë se nuk ka më asgjë për të diskutuar me të.

Presidenti serb kritikoi gjithashtu mënyrën si BE po trajton vendin e tij dhe tha se nuk ka kuptim të vazhdohet dialogu me ata që, sipas tij, nuk e trajtojnë Serbinë në mënyrë të drejtë. Megjithatë, ai shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar në rrugën e integrimit europian.

Reagimi i tij vjen pasi BE vendosi të ngrijë pagesat nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se në Serbi ka pasur regres në fushën e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Sipas Komisioneres Marta Kos, reforma të fundit në drejtësi janë miratuar pa konsultime të mjaftueshme dhe kanë dobësuar garancitë për pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ajo shtoi gjithashtu se në Serbi mbetet problem polarizimi politik, kufizimet ndaj medias dhe mungesa e progresit demokratik.

BE ka kritikuar edhe marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë, duke theksuar se vendi nuk mund të mbajë njëkohësisht pozicione të kundërta në politikën e jashtme, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë.