“Rënia e korrupsionit në letra” - Nuri: Shqipëria etiketohet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend ku pastrohen masivisht paratë
Një raport i Prokurorisë së Përgjithshme për prioritetet e vitit 2025 ka zbuluar një tendencë në dukje kontradiktore në fushën e kriminalitetit: ndërsa krimet kundër pronës dhe rendit publik janë në rritje, procedimet penale për korrupsionin dhe pastrimin e parave kanë shënuar një rënie të ndjeshme.
Ky fakt ka ngritur pikëpyetje nëse këto fenomene po zvogëlohen realisht apo nëse ka një problem me orientimin e hetimeve.
I ftuar për të analizuar këto të dhëna nw “Ora News”, Franci Nuri, drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike, hodhi poshtë idenë se ka një rënie reale të këtyre krimeve.
Sipas tij, është absolutisht e pamundur që fenomene kaq shqetësuese, për të cilat Shqipëria është "e stigmatizuar", të jenë në rënie.
“Shqipëria është e stigmatizuar për nivele tepër të larta të korrupsionit, sidomos vitet e fundit me mega-afera të shumta që kanë shpërthyer në të gjitha degëzimet e qeverisjes qendrore dhe vendore”, deklaroi Nuri.
Ai theksoi se ky konstatim bie ndesh me raportet e partnerëve ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, të cilët vazhdimisht tregojnë se vendi "ka bërë hapa prapa" në luftën kundër korrupsionit.
Nuri argumentoi se nuk mund të ulet perceptimi i korrupsionit dhe njëkohësisht të ulen edhe ndjekjet penale, duke shtuar se edhe qytetarët shqiptarë e perceptojnë qartë se lufta ndaj korrupsionit është vështirësuar, veçanërisht "në nivelet e larta".
Si dëshmi të kësaj situate, ai përmendi disa zhvillime specifike, përfshirë një projektligj të iniciuar nga kryeministri për të hequr masën e pezullimit nga detyra për zyrtarët e lartë, përfshirë edhe vetë atë. Kjo shihet si një përpjekje për të shmangur raste si ai i ish-ministres Balluku, e cila u pezullua me vendim gjykate. Për më tepër, ai vuri në dukje zvarritjen e ligjit të amnistisë në Kuvend dhe pengesat politike ndaj kërkesave të SPAK për arrestimin e zyrtarëve të lartë.
Fenomeni i korrupsionit në Shqipëri, sipas tij, është "kapilar".
Lidhur me pastrimin e parave, Nuri e cilësoi si një tjetër fenomen tepër shqetësues.
“Shqipëria po etiketohet nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë si një vend ku pastrohen masivisht paratë” tha ai. Sektori i ndërtimit identifikohet si kanali kryesor ku ekonomia e ligjshme dhe ajo e paligjshme bashkohen, i manifestuar përmes një valë "ndërtimesh pa kriter" në Tiranë, në bregdet, e tashmë edhe në zonat kodrinore e malore të vendit.
FRANC NURI: “Unë nuk mendoj absolutisht që ka rënë kriminaliteti sa i takon këtyre fenomeneve tepër shqetësuese që ju përmendët si korrupsioni, apo pastrimi i parave.
Pastaj mund të ndalemi pak dhe te lojërat e fatit, sepse këto janë fenomene, të cilat Shqipëria është e stigmatizuar për nivele tepër të larta të korrupsionit ndër vite dhe sidomos vitet e fundit me mega afera të shumta që kanë shpërthyer në të gjitha degëzimet e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe nuk mundet që perceptimi i korrupsionit të ulet dhe nga ana tjetër po ashtu të ulet edhe ndjekjet penale për këtë fenomen.
Ndërkohë, paralelisht, ne kemi raporte ndërkombëtare mjaft serioze të Bashkimit Europian, të Departamentit Amerikan të Shtetit, të organizmave nga më të ndryshëm që monitorojnë zgjedhjet, monitorojnë demokracinë, monitorojnë lirinë e medias, korrupsionin në vetvete e të tjera e të tjera, që tregojnë që Shqipëria ka bërë hapa prapa.
Pra, nuk mundet që për korrupsionin faktori ndërkombëtar, raporte serioze ndërkombëtare të dalin dhe të thonë që Shqipëria ka bërë hapa prapa, shqiptarët e perceptojnë po ashtu mjaft qartë që lufta ndaj korrupsionit është vështirësuar, sidomos në nivelet e larta.
Nuk po flasim për peshqit e vegjël, po flasim për peshqit e mëdhenj, për të folur në një gjuhë më popullore dhe më të aksesueshme për publikun.
Kur kryeministri Edi Rama nënshkruan me dorën e tij një projektligj dhe kërkon që të hiqet pezullimi nga Kodi i Procedurës Penale për zyrtarët e lartë, përfshirë veten e tij, pra përfshirë postin e kryeministrit, që gjykatat të mos ta pezullojnë më kryeministrin apo zëvendës kryeministrin, apo kryeministren, nëse do të kenë ata këtë herë sërish.
Pra të mos përsëritet sërish rasti Balluku, ku u pezullua nga Gjykata e Posaçme me vendim gjyqësor të pavarur.
Kur kërkohet dhe është depozituar prej disa muajsh në Kuvendin e Shqipërisë ligji i Amnistisë dhe ende shtyhet për në kalendat greke, sepse nuk dihet minutë e fundit, ndoshta bëhet ndonjë ndryshim, ndonjë amendim edhe mos përfiton dhe ndonjë person tjetër që nuk dihet se çfarë do të sjellë.
Nga ana tjetër, po ashtu, kemi pengesë nga anë të votave në kuvend për miratimin e kërkesave për arrest nga ana e SPAK-ut, ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit si zv-, ish-zëvendës kryeministrja. Pra, fenomeni i korrupsionit në Shqipëri është kapilar.
Po ashtu pastrimi i parave, është një fenomen tepër shqetësues. Shqipëria po etiketohet nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë si një vend ku pastrohen masivisht paratë dhe në sektorin e ndërtimit si sektori ku kanalizohet çuditërisht prej vitesh pothuajse e gjithë ekonomia e ligjshme dhe e paligjshme e Shqipërisë. Të gjitha, pothuajse të gjitha kursimet apo i gjithë aktiviteti është fokusuar tek ndërtimi, ndërtimi pa kriter në Tiranë, në bregdet”.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME JURISTIN FRANC NURI

