“Presioni është vijë e kuqe”/ Rama i prerë ndaj protestave të PD, Kurti: Opozita duhet të dalë nga 'ngërçi' politik
Në studion e Ora News ishte i ftuar gazetari Andi Kurti, i cili komentoi situatën politike mes mazhorancës dhe opozitës, si edhe protestat e fundit të Partisë Demokratike.
Sipas Kurtit, protestat e opozitës deri tani nuk duket se kanë krijuar presion real ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, i cili ka përsëritur se nuk do të pranojë kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
“Duket sikur mirëfilli këto protesta nuk po e shqetësojnë zotin Rama. E pamë edhe në daljet e tij të fundit, ku ai tha qartë se askush nuk mund t’i bëjë presion qeverisë me forma të tilla.”-tha ai.
Kurti u ndal edhe te mënyra se si opozita po organizon protestat, duke vlerësuar se PD-ja duhet të ndryshojë qasje në terren dhe të sjellë forma të reja reagimi publik.
Ai tha se protestat e përsëritura me të njëjtin format rrezikojnë të humbasin ndikimin politik dhe publik, ndërsa sugjeroi shmangien e tensioneve dhe akteve piroteknike.
“Ndoshta protesta e radhës duhet të ketë një formë tjetër, më tërheqëse dhe jo të krijohet ideja se është thjesht një protestë e zakonshme ku asgjë e re nuk ndodh.”-shtoi Kurti.
Sipas tij, kryeministri po lë të hapur publikisht mundësinë e dialogut, por pa pranuar presion politik nga opozita.
Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë një mënyrë bashkëpunimi, të paktën për çështje që lidhen me procesin e integrimit europian.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

