PAMJET/ Nisin punimet pranë Urës së Bratit në Vlorë, shkallë dhe ballkon panoramik për vizitorët

Ura e Bratit mbi lumin Shushicë në Vlorë, një monument me vlera për trashëgiminë kulturore, pritet të jetë lehtësisht më e aksesueshme për vizitorët falë një projekti për rikualifikimin e zonës përreth saj.

Ky projekt i bashkisë Selenicë është financuar nga këshilli i qarkut Vlorë me një fond prej 29 milionë lekësh.

Kryetari i këshillit të qarkut Vlorë, Ervis Moçka tha për ATSH-në se prej disa ditësh ka filluar puna për zbatimin e projektit, i cili ka ka për qëllim rritjen e aksesueshmërisë së vizitorëve, pasi aktualisht terreni pranë Urës së Bratit është i vështirë dhe i paaksesueshëm.

“Falë kësaj ndërhyrjeje, e cila pritet të përfundojë brenda katër muajve, do të krijohet një pedonale, ndërsa gjatë rrugës janë parashikuar të ndërtohen pika panoramike nga ku vizitorët mund të shijojnë pamjen që ofron ky monument i ndërtuar në shekullin XVI”, tha Moçka.

Me një lartësi prej 9 metrash dhe një gjatësi prej 30 metrash, Ura e Bratit krijon një pamje dominuese mbi shkëmbinjtë dhe ujin e kristaltë të Shushicës.

“Konkretisht projekti parashikon ndërtimin e shkallëve, të cilat do të ndihmojnë vizitorët për të zbritur dhe vizituar këtë monument kulture”, tha Moçka.

I shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, Ura e Bratit është ende edhe sot funksionale, duke lidhur rrugën e vjetër të karvaneve me atë të Rrëzës, përkatësisht fshatin Brataj me anën tjetër të fushës së Bratit dhe Smokthinës.

Falë cilësisë së punimit dhe arkitekturës me dy harqe e dritare, të cilat mundësojnë shkarkimin e ujërave në rastet kur lumi fryhet, Ura e Bratit renditet si një nga veprat inxhinierike më të mira të periudhës. Ura e Bratit shfaqet gjithashtu në filmin “Nëntori i Dytë”.

Gjatë sezonit turistik, kjo urë shënon një numër të lartë vizitorësh, falë edhe ndërtimit të rrugës së lumit të Vlorës.