DRAFTI/ Ngrihet Autoriteti për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore me autonomi financiare

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit propozon ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për ndihmën shtetërore”, të cilat synojnë forcimin e kontrollit mbi skemat e mbështetjes publike dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimi Europian.

Projektligji parashikon krijimin e Autoritetit të Kontrollit të Ndihmës Shtetërore, i cili do të zëvendësojë strukturën aktuale të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Sipas relacionit shpjegues, autoriteti i ri do të funksionojë si organ publik i pavarur, me autonomi institucionale, operacionale dhe financiare, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian dhe detyrimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.

Projektligji parashikon që institucioni të organizohet në dy nivele, përkatësisht Këshilli Drejtues me funksione vendimmarrëse dhe Sekretariati teknik-ekzekutiv.

Këshilli Drejtues do të përbëhet nga 5 anëtarë me mandat 5-vjeçar, të zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vite eksperiencë profesionale dhe ekspertizë në fushën e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore.

Në draft parashikohen edhe masa të forta për garantimin e integritetit dhe shmangien e konfliktit të interesit, përfshirë ndalimin për dy vite të angazhimit të ish-anëtarëve në subjekte që kanë përfituar nga vendimmarrjet e autoritetit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me fuqizimin e kompetencave të institucionit për kontrollin e ndihmës shtetërore. Autoriteti do të ketë të drejtë të vendosë gjoba administrative deri në 1% të qarkullimit vjetor ndaj subjekteve që japin informacion të pasaktë ose mashtrues, si dhe gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore për mosdorëzim të dokumentacionit të kërkuar.

Projektligji parashikon gjithashtu rritjen e transparencës dhe raportimit publik për skemat e ndihmës shtetërore. Autoriteti do të dorëzojë raport vjetor në Kuvend deri më 30 qershor të çdo viti dhe do të krijojë një platformë online për regjistrimin dhe monitorimin e ndihmës shtetërore.

Sipas relacionit, reforma kërkon edhe mbështetje financiare shtesë në buxhetin e shtetit. Për vitin 2025 parashikohet një fond prej 55 milionë lekësh, ndërsa për vitet 2026 dhe 2027 fondet llogariten respektivisht në 47 milionë dhe 49 milionë lekë.

Nga këto, 10 milionë lekë do të investohen në vitin e parë për krijimin e platformës digjitale të monitorimit të ndihmës shtetërore.

Në relacion theksohet se ndryshimet janë në përputhje me rekomandimet e Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili ka kërkuar forcimin e pavarësisë operacionale dhe rritjen e kapaciteteve administrative në fushën e ndihmës shtetërore.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit vlerëson se projektligji përbën një hap të rëndësishëm drejt garantimit të konkurrencës së ndershme në treg dhe rritjes së besueshmërisë së sistemit të kontrollit të ndihmës shtetërore në përputhje me standardet e BE-së.