ITALI-SHQIPËRI, BASHKËPUNIM KULTUROR/ Ministri Gonxhja takohet me presidentin e Bienales së Venecias
Shqipëria synon të forcojë bashkëpunimin kulturor me Bienalen e Venecias përmes projekteve të përbashkëta dhe partneriteteve afatgjata. Në fokus janë arti bashkëkohor, arkitektura dhe promovimi ndërkombëtar i kulturës shqiptare.
Shqipëria synon të forcojë bashkëpunimin kulturor me Bienalen e Venecias përmes projekteve të përbashkëta dhe partneriteteve afatgjata. Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, zhvilloi një takim me presidentin e Bienaljes së Venecias, Pietrangelo Buttafuoco, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë
Takimi kishte në fokus zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e artit bashkëkohor, arkitekturës, edukimit artistik dhe dokumentimit kulturor. Palët diskutuan krijimin e hapësirave të reja bashkëpunimi për artistë, kuratorë, studiues dhe të rinj shqiptarë, përmes projekteve të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit kulturor.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe aktivizimit të arkivave artistike dhe ruajtjes së kujtesës kulturore, me fokus të veçantë në historinë e pavilioneve të Bienales ndër vite. Sipas ministrisë, bashkëpunimi synon të krijojë mundësi të reja për prezantimin ndërkombëtar të artit shqiptar dhe lidhjen më të fortë me institucionet kulturore europiane.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi hapjen e ardhshme të Galeria Kombëtare e Arteve, e konsideruar si një institucion kyç për zhvillimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe organizimin e ekspozitave të përbashkëta me institucione prestigjioze të Europës.
Një tjetër çështje në fokus ishte prania më e qëndrueshme e Pavijonit Kombëtar të Shqipërisë në Bienalen e Venecias dhe pjesëmarrja në edicionet e ardhshme të Bienales së Artit dhe Bienales së Arkitekturës. Sipas palëve, kjo platformë shihet si një instrument i rëndësishëm për promovimin ndërkombëtar të kulturës dhe identitetit krijues shqiptar.
Dialogu mes institucioneve shqiptare dhe Bienales së Venecias pritet të vijojë edhe në Tiranë me projekte konkrete bashkëpunimi dhe vizita të dedikuara në muajt në vijim.
