“GEGAJ I UÇK-SË”, NË HARRESË! Banorët kërkojnë investime pas viteve të gjata izolimi dhe varfërie

Fshati Gegaj në Tropojë, një nga zonat më të goditura gjatë luftës së Kosovës, vijon të përballet me mungesë infrastrukture dhe varfëri, më shumë se dy dekada pas konfliktit.

Banorët thonë se zona që priti refugjatët kosovarë, strehoi ushtarët e UÇK-së dhe u përball me sulmet serbe, është lënë në harresë nga pushteti vendor dhe ai qendror, teksa shumë familje janë detyruar të largohen nga fshati.

Gjatë vitit 1999, të gjitha fshatrat e tropojës në kufi me Kosovën përjetuan pasoja të rënda nga bombardimet e artilerisë jugosllave, ndërsa u kthyen edhe në porta pritëse për mijëra shqiptarë të Kosovës të dëbuar me forcë nga regjimi i Slobodan Milosheviç.

Një nga fshatrat që pësoi dëme të mëdha ishte edhe Gegaj. Banorëve iu dogjën shtëpitë, dhanë dëshmorë për çlirimin e Kosovës, pritën dhe përcollën ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe strehuan familje të larguara nga lufta.

Banorët tregojnë se rezistuan edhe me armë në dorë, kur forcat paramilitare serbe hynë në territorin shqiptar, duke vrarë katër civilë dhe duke djegur e plaçkitur shumë banesa.

Për rindërtimin e shtëpive të djegura dhe të bombarduara, banorët shprehen se ndihma financiare nga shteti ishte minimale dhe e pamjaftueshme për të rikthyer jetën normale.

Një tjetër problem mbetet edhe arsimi dhe energjia elektrike që mungon shpesh në zonë.

Sot, shumë familje janë larguar nga Gegaj për shkak të kushteve të vështira të jetesës, ndërsa ata që kanë mbetur kërkojnë vëmendje dhe investime, që zona të mos mbetet vetëm një kujtim i sakrificës së luftës.