Dita e Drejtësisë nuk e gjen sot drejtësinë shqiptare në festë, por përballë një pasqyre të rëndë realiteti

Dita e Drejtësisë nuk e gjen sot drejtësinë shqiptare në festë, por përballë një pasqyre të rëndë realiteti. Në korridoret e gjykatave dhe prokurorive vazhdojnë të grumbullohen male dosjesh, ndërsa qytetarët presin me vite për një vendim, për një seancë, për një përgjigje që shpesh vjen shumë vonë ose nuk vjen kurrë.

Ka qytetarë që janë larguar nga kjo jetë duke pritur drejtësi. Ka të moshuar që nuk arritën të marrin një datë gjyqi për njohjen e viteve të punës, për të siguruar një pension minimal, i cili në vetvete mezi garanton mbijetesën. Ka familje të tëra që janë lodhur nga pritja, nga heshtja dhe nga zvarritja e pafundme proceduriale. Dhe ka raste alarmante ku mungesa e drejtësisë ka shtyrë njerëzit drejt vetëgjyqësisë, duke cenuar vetë themelet e shtetit ligjor.

Sot, pyetja që shtrohet nuk është më nëse sistemi ka probleme, por sa i thellë është degradimi i tij. Shqipërisë i mungojnë gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me një drejtësi të vonuar dhe shpesh të paarritshme. Reforma në drejtësi dhe procesi i ashtuquajtur “vetting” u paraqitën si garancia për pastrimin e sistemit dhe rikthimin e besimit tek institucionet. Por shumë qytetarë shohin se nga vettingu u larguan edhe gjyqtarë e prokurorë profesionistë e të ndershëm, vetëm pse nuk iu shërbyen interesave të pushtetit dhe bandave që e mbështesin atë. Ndërkohë, në sistem mbetën individë arrogantë, të paaftë dhe shpesh çnjerëzorë, njerëz që nuk kanë as minimumin e etikës, kulturës institucionale dhe ndjeshmërisë njerëzore për të garantuar të drejtën themelore të qytetarit. Disa prej tyre, të mbështetur nga paprekshmëria dhe mungesa e kontrollit, e konsiderojnë veten “zotër” vetëm sepse japin vendime në emër të Republikës. Por drejtësia nuk njeh zotër. Në një shtet demokratik, kush ushtron pushtet pa përgjegjësi dhe pa humanizëm nuk është simbol i drejtësisë, por dëshmi e deformimit të saj.

Në një republikë demokratike askush nuk është mbi qytetarin. Gjyqtari dhe prokurori nuk janë “zotër” të fateve njerëzore. Ata janë shërbëtorë të ligjit dhe të qytetarëve. Vendimet jepen në emër të Republikës, jo në emër të egos, arrogancës apo mungesës së llogaridhënies. Drejtësia nuk mund të funksionojë mbi ndjenjën e paprekshmërisë dhe as mbi frikën që qytetari ka ndaj institucioneve që duhet ta mbrojnë.

Paradoksi më i madh i kësaj dite është se edhe vetë punonjësit e sistemit të drejtësisë kërkojnë drejtësi për veten e tyre. Sot, gjykatat janë të mbushura me padi nga gjyqtarë, prokurorë dhe administratë për pagesa të papërfituara, përllogaritje pagash, status, trajtim ushqimor dhe të drejta që vetë institucionet nuk ua zbatojnë. Vetë sistemi i drejtësisë nuk njeh dhe nuk zbaton as VKM-të e shtetit të vet, duke krijuar një paradoks të rëndë institucional, ku organet që duhet të garantojnë respektimin e ligjit bëhen vetë shembulli i moszbatimit të tij. Kur ligji dhe vendimet e shtetit shpërfillen brenda institucioneve të drejtësisë, atëherë besimi i qytetarit tek shteti ligjor tronditet në themel.

Ndërkohë, punonjësit e sistemit vazhdojnë të punojnë në kushte që shpesh janë të papranueshme për një shtet që aspiron standarde europiane. Por barrën më të rëndë të këtij sistemi e mban administrata, kryesisht administrata gjyqësore, e cila çdo ditë përballet me mbingarkesë pune që nuk do të pranohej nga asnjë standard apo konventë europiane për të drejtat e njeriut dhe dinjitetin në punë. Janë pikërisht sekretarët dhe punonjësit administrativë ata që mbajnë peshën reale të funksionimit të sistemit, shpesh në kushte çnjerëzore që rrezikojnë edhe shëndetin e tyre fizik e mendor.

Në korridoret e gjykatave sheh sekretare gjyqësore që mbajnë në duar male me dosje, çantat e “zotërve” të sistemit, pelerinat e tyre dhe jo rrallëherë edhe kafenë apo ushqimin, sikur të mos ishin punonjës të administratës së drejtësisë, por shërbëtorë personalë të individëve që kanë deformuar kuptimin e funksionit publik. Ndërkohë, këta punonjës përballen me diskriminim të thellë në paga, mungesë vlerësimi dhe mbingarkesë ekstreme, duke kryer shpesh edhe detyra që ligji ua njeh gjyqtarëve apo funksioneve të tjera, në kundërshtim të hapur me kontratat e punës dhe me vetë ligjin. Nuk mund të ketë drejtësi europiane në institucione ku dinjiteti i vetë punonjësve të drejtësisë shkelet çdo ditë.

Në Ditën e Drejtësisë nuk mjaftojnë deklaratat ceremoniale dhe fjalimet politike. Kjo ditë duhet të jetë një moment reflektimi kombëtar për një sistem që vazhdon të vonojë, të lodhë dhe shpesh të zhgënjejë qytetarin shqiptar. Sepse drejtësia që vonon nuk është drejtësi. Drejtësia që tremb nuk është drejtësi. Dhe drejtësia që nuk arrin tek qytetari është thjesht një institucion bosh.

Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm atë që një shtet demokratik ka detyrimin minimal t’u garantojë: një drejtësi të shpejtë, të paanshme, njerëzore dhe funksionale. Derisa kjo të ndodhë, Dita e Drejtësisë do të mbetet më shumë një ditë ndërgjegjësimi për krizën e sistemit sesa një ditë feste për triumfin e saj.