Propozimet e PD-së për Reformën Zgjedhore/ Kryeministri Rama: Dialog po, por jo imponime për reformën zgjedhore
“Imponime, ultimatume dhe qëndrime të paracaktuara, besoj se është mjaftueshëm kohë e gjatë për të kuptuar që me mua nuk funksionojnë.”
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në përgjigje të interesit të Ora News mbi një konsensus të mundshëm me demokratët për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, në kuadër të reformës zgjedhore.
Ai shtoi se mazhoranca është e hapur për diskutim dhe për të dëgjuar çdo palë që ulet në tryezë për dialog.
Megjithatë, Rama u shpreh se edhe mazhoranca ka një kusht për opozitën, duke theksuar se është i interesuar për uljen e numrit të deputetëve të Kuvendit dhe shpreson që të arrihet konsensus në këtë drejtim. Sipas tij, çdo diskutim tjetër mbetet i hapur.
Sa i përket diskutimeve në parlament me përfshirjen e Bashkimit Europian, sinjalet janë për gjetjen e një konsensusi parlamentar.
Reforma zgjedhore është një nga kërkesat kryesore, ku synohet që Shqipëria të plotësojë vazhdimisht rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Sipas tij, kjo është pjesë e standardeve demokratike dhe pluralizmi politik mbetet i rëndësishëm.
Në Kuvend, prej disa muajsh, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nisur diskutimet në dy komisione të posaçme: për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku synohet të shkohet përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR, dhe për reformën territoriale, ku pritet të vendoset nëse Shqipëria do të ketë më shumë apo më pak se 61 bashki.

