Olli: Mbështetja e shqiptarëve për BE po shfrytëzohet politikisht

Në Javën e Europës, debati mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ndizet sërish, duke i vënë qytetarët përballë narrativave të kundërta nga politika dhe diplomacia. Ndërsa zyrtarët ndërkombëtarë dhe qeveria flasin për progres të prekshëm, opozita ngre dyshime, duke e lënë publikun të paqartë nëse hapat përpara janë realë apo thjesht konsum politik.

Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora news", ishte gazetari, Leonard Olli, i cili u shpreh se së fundmi, ishte ambasadori i Bashkimit Europian ai që hodhi poshtë zërat për një pezullim të mundshëm të negociatave të anëtarësimit. Ai konfirmoi se së shpejti pritet të miratohet edhe raporti i progresit për Shqipërinë, një deklaratë që përforcon qëndrimin optimist të mbajtur vazhdimisht nga kryeministri Edi Rama. Kjo linjë zyrtare sugjeron se procesi po ecën në drejtimin e duhur dhe pa pengesa madhore. 

"Duke patur parasysh faktin që të gjithë shqiptarët janë pro-europianë dhe në sondazhe të gjithnjë kemi një numër shumë të lartë, domethënë, të shqiptarëve, mbi 75-80%, që janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duket që kjo çështje prej kohësh është shndërruar tashmë edhe në një levë Arkimedi politike", u shpreh Olli.

Ndiqni intervistën e plotë: