“EU4Municipalities II”, Rama: Urë ndihmëse për të përcjellë më shumë dije nga BE drejt bashkive tona
Në mbyllje të javës, Kryeministri Rama renditi disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të ditëve që lamë pas, të lidhura me rrugëtimin europian të Shqipërisë, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e mëtejshëm të qeverisjes në vend.
Kryeministri i cilësoi zhvillimet si pjesë e një procesi të pandalshëm reformash dhe transformimesh që po e afrojnë Shqipërinë gjithnjë e më shumë me objektivin historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke forcuar njëkohësisht institucionet demokratike, sundimin e ligjit, transparencën dhe mirëqeverisjen.
“Java ka pasur edhe një tjetër moment me rëndësi për t'u shënuar, lançimin e programit “EU4Municipalities II” Europa apo Bashkimi Europian për pushtetin vendor, faza e dytë, një program i mbështetur nga Bashkimi Europian, që lidhet drejtpërdrejtë me modernizimin e qeverisjes vendore, me forcimin e rolit të bashkive në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe me rritjen e kapaciteteve të tyre për t'u bërë më të gatshme që të jenë konkurruese në përpjekjen për të thithur më shumë nesër fonde nga Bashkimi Europian.
Ky program bën pikërisht urën ndihmëse për të përcjellë më shumë dije nga Bashkimi Europian drejt bashkive tona, për të rritur vetëdijen e tyre, për rolin që kanë në raport me Bashkimin Europian në një vend që nesër bëhet anëtar i Bashkimit Europian, dhe për këtë arsye unë besoj se ky program është një fakt që vjen në kohën e duhur si pjesë e tërësisë së fakteve që provojnë se Bashkimi Europian është gjithmonë e më pranë, se Shqipëria është gjithmonë e më shumë një vend që shihet si anëtar i Bashkimit Europian, jo në të ardhmen e largët, por në vitet që vijë.”, theksoi kryeministri Edi Rama.
NDIQNI SHËNIMET E JAVËS NGA KRYEMINISTRI EDI RAMA

