Ekspozita “Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) do të çelin këtë fundjavë, më 9 maj, ekspozitën e përbashkët fotografike dhe dokumentare: “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”.

Në mjediset e Kalasë së Tiranës, publiku do të mund të shohë fotografi nga sallat e para të transmetimit në vitet ’20, radiostacionet e deri te teknologjitë digjitale të sotme. Në këtë mënyrë ekspozita do të pasqyrojë edhe lidhjen e ngushtë midis informacionit, zhvillimeve teknologjike dhe ndryshimeve politike dhe sociale ndër vite.

Ky rrugëtim është edhe një dëshmi e historisë dhe së tashmes e një vendi si Shqipëria që sot ka hapur dyert për miliona turistë të tuaj.

Përmes materialeve arkivore, ku ATSH mbetet një aktor qendror në dokumentimin dhe transmetimin e informacionit ndër vite, ndiqet formësimi i lajmit si praktikë profesionale dhe si instrument komunikimi mes shtetit, medias dhe publikut.

Nga arkiva te mjedisi digjital, nga radio te televizioni, ky rrugëtim ofron një perspektivë mbi rolin e informacionit në ndërtimin e realitetit shoqëror.

Fotoreporterët shfaqen si dëshmitarë të drejtpërdrejtë të kohës së tyre.

Përmes fotografive dhe dokumenteve arkivore, dëshmohet edhe përfshirja e Shqipërisë në rrjetet globale të informacionit që në dekadat e para të shekullit XX.

Një vend të veçantë zë themelimi dhe konsolidimi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, si institucioni qendror i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmit. Figura si Mihal Sherko, drejtori i parë i ATSH-së, por edhe emrat e parë të gazetarisë, përfaqësojnë përpjekjet për të ndërtuar një sistem informimi të organizuar dhe të lidhur me zhvillimet ndërkombëtare.

Ekspozita “Një rrugëtim në historinë e lajmit

Ekspozita ndalet gjithashtu në periudhën e tranzicionit të viteve ’90, një moment kyç për median shqiptare, i karakterizuar nga pluralizmi, lindja e gazetave të reja dhe transformimi i thellë i mënyrës së prodhimit dhe shpërndarjes së lajmit.

Sot ATSH bashkëpunon me mbi 35 agjenci dhe institucione mediatike ndërkombëtare, përfshirë AFP, ANSA, PA, DPA, EFE, LUSA, Anadolu Agency, APA. ATSH është anëtare me të drejta të plota në aleanca dhe rrjete ndërkombëtare mediatike si European Newsroom (ENR), Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) dhe Asociacioni i Agjencive Ballkanike të Lajmeve – Evropa Juglindore (ABNA-SE) duke siguruar shkëmbim të përditshëm informacioni dhe pasqyrim të ngjarjeve më të rëndësishme nga rajoni dhe bota.

Një prej aseteve më të rëndësishme të ATSH-së mbetet arkivi fotografik dhe dokumentar me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë nga viti 1913 deri më sot për të cilat ka nisur puna për digjitalizimin dhe indeksimin e tyre. Pjesë e arkivës janë edhe mijëra buletine të shtypura që nga viti 1945.

Në Ditën e Evropës, kjo ekspozitë e cila do të hapet në orën 11:00 te Kalaja e Tiranës, synon të vendosë historinë e lajmit shqiptar në një kontekst më të gjerë të vlerave të informimit dhe komunikimit publik.

Ekspozita do vijojë të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim.