Qeveria nis shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i rrugës Kashar-Nyja Vaqarr
Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua vendimi për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga Kashar-Nyja Vaqarr, fazat I dhe II”.
Ky shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”, “vreshtë”, “pemëtore”, “ullishte” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 126 milionë lekë. Kjo vlera përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 mijë lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse, që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do të vendoset në dispozicion të personit, që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

