FOTO+VIDEO/ 5 Maj, nderohen vepra dhe kujtimi i Dëshmorëve të Policisë, Hita: Sot, një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim

Dita e Dëshmorëve mblodhi së bashku, në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të institucioneve në varësi të saj, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.

Të pranishmit nderuan veprën dhe kujtimin e 231 Dëshmorëve të Policisë, emrat e të cilëve janë gdhendur në memorialin që iu kushtohet atyre.

Gjatë ceremonisë, u mbajtën fjalë për rastin, në shenjë vlerësimi për aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye dhe për shkak të detyrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në fjalën e tij, u shpreh:

“5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Për çdo punonjës policie, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje.

FOTO+VIDEO/ 5 Maj, nderohen vepra dhe kujtimi i Dëshmorëve të

Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë. Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban.

Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës.

Për ata që u nisën në mëngjes me uniformë dhe nuk patën kohë të thoshin lamtumirë, por u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet, se detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta.”

FOTO+VIDEO/ 5 Maj, nderohen vepra dhe kujtimi i Dëshmorëve të

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme zj. Anisa Ruseti theksoi:

“Është në nderin dhe detyrimin tonë moral të kujtojmë me respekt të thellë sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, për të mbrojtur jetën, rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Ata janë heronj që flijuan vetveten për idealin më të lartë, për këtë flamur, për Shqipërinë. Kjo ditë e gjen Policinë e Shtetit më të fortë, më të përgatitur dhe një partnere të denjë të policive evropiane, në një moment kur vendi ynë ndodhet në hapat e fundit drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, një proces ku siguria dhe lufta kundër krimit të organizuar mbeten prioritete kyçe.”

Gjatë ceremonisë, përkujtoi sakrificën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, edhe Franc Zylyftari, i cili krenar për emrin që la pas i ati, Dëshmori Arben Zylyftari, shprehu: 

FOTO+VIDEO/ 5 Maj, nderohen vepra dhe kujtimi i Dëshmorëve të

“Dhimbja është e madhe dhe kthehet në një plagë e cila fle ndër vite, por vepra e tyre jeton në kujtesën tonë dhe në vlerat që ata përfaqësuan. Sakrifica e tyre i bëri ata pjesë të historisë sonë, duke lënë pas një trashëgimi nderi dhe dinjiteti. Emrat e tyre janë të gdhendur përjetësisht në librin e historisë, si kujtesë e sakrificës sublime dhe si thirrje për të mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka për ne.”

Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit vendosën kurora me lule në memorialin e ngritur për Dëshmorët e Policisë.

Nderim të përjetshëm aktit sublim të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!