Dita Botërore e Melanomës, apeli i mjekëve: Kontrolloni rregullisht lëkurën tuaj
Dita Botërore e Melanomës vjen si një formë kujtese dhe apel ndaj qytetarëve për rrezikun nga melanoma, një nga format më agresive të kancerit të lëkurës.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në një postim në rrjetet sociale, nënvizon se kur melanoma zbulohet herët, mund të trajtohet me sukses.
QSUT përsërit thirrjen për kontrolle të rregullta të lëkurës, duke i kushtuar vëmendje çdo ndryshimi në nishane dhe njolla, ndërsa duhet të mos neglizhohen kontrollet periodike te mjekët specialistë.
Ndryshimet në nishane janë ndër sinjalet kryesore që nuk duhen neglizhuar, ndryshimi i ngjyrës apo formës, si dhe shfaqja e nishaneve të pazakonta.
Në grupet më të rrezikuara futen personat që janë ekspozuar shpesh ndaj djegieve nga dielli, individët me shumë nishane, si dhe personat me histori familjare të kësaj sëmundjeje.
Mjekët dermatologë nënvizojnë se mbrojtja nga rrezet ultravjollcë është masa më efektive parandaluese.
Rekomandohet shmangia e ekspozimit në orët e pikut (11:00–15:00), përdorimi i kremrave me faktor të lartë mbrojtës, mbajtja e kapelave dhe syzeve të diellit, etj.
Në këtë ditë ndërgjegjësimi, QSUT bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta dhe kujdes të shtuar ndaj shëndetit të lëkurës, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm mbetet arma më e fortë në luftën kundër melanomës.

