Rubio në Romë për ‘shkrirjen’ e krizës, takim kyç me Papa Leone XIV mes tensioneve të ndezura...
Vizita në Romë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, pritet të jetë një test i rëndësishëm diplomatik për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara, Vatikanit dhe Italisë, në një moment tensionesh të hapura politike.
Axhenda institucionale nis të enjten, më 7 maj, në Vatikan. Rubio do të pritet në audiencë nga Papa Papa Leone XIV në bibliotekën private të tij, në një takim me peshë simbolike dhe politike.
Menjëherë më pas, është parashikuar një bisedë me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili ka mbajtur një linjë të kujdesshme diplomatike dhe ka shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me Uashingtonin, raporton për Syri-n, Alba Kepi.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë krizat ndërkombëtare, veçanërisht konfliktet në Iran dhe Liban, për të cilat Selia e Shenjtë ka bërë vazhdimisht thirrje për armëpushim dhe dialog. Takimi shihet si një përpjekje për të ulur tensionet pas kritikave të forta që presidenti amerikan Donald Trump ka artikuluar ndaj Papës në javët e fundit.
Të premten, më 8 maj, Rubio do të zhvendoset në axhendën italiane. Ai do të zhvillojë një takim dypalësh me ministrin e Jashtëm Antonio Tajani, i ndjekur nga një drekë pune në Villa Madama, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto. Një takim i mundshëm me kryeministren Giorgia Meloni mbetet ende i pakonfirmuar, ndërsa palët punojnë për të harmonizuar axhendat. Për momenti dihet se pas Armenisë, kryeminsitrja italiane do të udhëtojë në Azerbaxhan.
Vizita e Marco Rubios zhvillohet në një klimë të ndërlikuar politike, pas përplasjeve verbale të fundit mes Uashingtonit dhe Romës, si dhe kritikave të drejtpërdrejta të Trump ndaj qeverisë italiane dhe qëndrimeve të saj në politikën e jashtme.
Në këtë sfond, dimensioni politik është shoqëruar edhe me jehonë mediatike. Vetë Trump ka ripublikuar në platformën Truth Social një intervistë të liderit të Lega-s, Matteo Salvini, dhënë për median amerikane Breitbart. Edhe pse intervista daton në shkurt 2026, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina, rikthimi i saj në vëmendje në këtë moment ka peshë të qartë politike.
Në atë intervistë, Salvini e përkufizonte Trump si “aleat” dhe “mik”, duke shprehur bindjen se keqkuptimet mes palëve do të tejkalohen shpejt. Ai nënvizonte gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Lega-s për presidentin amerikan dhe rëndësinë e dimensionit kulturor në projektin e tij politik, duke përmendur edhe rolin e figurave si JD Vance.
Zhvillimet e ditëve të fundit konfirmojnë një fazë të ndjeshme rikalibrimi në marrëdhëniet transatlantike, ku diplomacia e nivelit të lartë dhe sinjalet politike publike po ecin paralelisht në përpjekje për të rikthyer dialogun dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

