PASOJAT EKONOMIKE TË KRIZAVE / Oda Ekonomike e Kosovës: Rrezikojmë fondet e Planit të Rritjes të BE
Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëron se kriza politike dhe mungesa e institucioneve funksionale rrezikojnë humbjen e fondeve të Planit të Rritjes të BE-së. Kosova ka përfituar 63 mln euro, ndërsa pjesa tjetër mbetet e kushtëzuar me reformat që mbeten të bllokuara.
Institicionet jo plotësisht funksionale për shkak të zgjedhjeve të parakohëshme dhe vonesat në realizimin e reformave mund ti kushtojnë Kosovës humbje të përfitimit nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se edhe pse vendi ka marrë 63 milionë euro si parafinancim nga pakoja prej rreth 880 milionë eurosh, pjesa tjetër e fondeve mbetet e kushtëzuar me përmbushjen e reformave.
Situata aktuale politike në Kosovë e bën pothuajse të pamundur miratimin e projekteve dhe programeve të nevojshme për përfitimin e fondeve të tjera.
Jo vetëm kriza e brendshme politike, por edhe faktorët globalë po ndikojnë ekonominë e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në një intervistë për ekonomia online, tha se rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos për bizneset dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Përfaqësuesi i biznesit në Kosovë, thotë se qeveria nuk ka bërë thuajse asgjë për të ndihmuar sektorët e ekonomisë të ndikuar nga efektet globale të luftës në Lindjen e Mesme.
