Kamera në gjyqe/ Shella: Drejtësia duhet të zhvillohet me dyer të hapura dhe transparencë të plotë

Prania e kamerave në sallat e gjyqit, veçanërisht kur në bankën e të akuzuarve ulen figura të profilit të lartë, ka ndezur një debat të gjerë publik.

I ftuar për një intervistë në "Ora News", ishte analisti Gert Shella, i cili u shpreh se  çdo seancë gjyqësore, sidomos ato penale, duhet të zhvillohen me dyer të hapura.

Ky parim, i sanksionuar si në Kushtetutë ashtu edhe në Kodin e Procedurës Penale, nënkupton jo vetëm praninë fizike të publikut, por edhe atë të mediave dhe kamerave.

Shella argumentoi se e drejta penale është një e drejtë publike dhe, si e tillë, procesi gjyqësor duhet të shërbejë jo vetëm si mekanizëm ndëshkues, por edhe edukues për shoqërinë.

" Çdo seancë gjyqësore, sa kohë që ajo bazohet edhe mbi parimin e publicitetit, që nënkupton dyert e gjykimit, sidomos gjykimit penal, janë të hapura për publikun, sepse e drejta penale është e drejtë publike dhe rrjedhimisht drejtësia penale ka dhe efektin edukues përveçse atë ndëshkues, është legjitime, sipas standartit tonë kushtetues, sipas standartit të kodit të procedurës penale, seanca penale zhvillohet me dyer të hapura.

Edhe me kamera. Ju e thatë me të drejtë. Unë jam bashkautor i udhëzuesit standart për marrëdhëniet media-gjyqësor-publik.

Tani, përballë drejtësisë nuk ka politikanë, veterinerë, ketra, nuk ka të tillë. Janë të gjithë subjektet së drejtës.

Pra, janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Ketra mund të jetë pseudonime në këtë rast. Mund të jenë edhe personazhe që ndjekin një lajthi. Domethënë kemi parë të tillë edhe në filma që i shikojmë shumë.

Kur vjen puna tek garantimi i të drejtave apo i standarteve kushtetuese, duhet patjetër të mos heqim dorë nga prezumimi i pafajësisë.

Pra, këta janë qytetarë që kanë një akuzë në ngarkim dhe që dalin para gjykatës, ku akuzatori kërkon t'i provohet akuza, ndërsa ai që mbrohet ka të gjithë të drejtat të sjellë provat e veta apo të mbrohet efektivisht, në mënyrë që një akuzë e padrejtë mos t'i rëndojë padrejtësisht dhe ai të bëjë burg kur nuk ka faj.

Thënë të gjitha këto, parimi i barazisë së palëve në procesin penal, një, dhe parimi i publicitetit gjyqësor, dy, janë dhe punojnë në një ansambël ku më shumë sy e garantojnë më mirë integritetin e gjykimit", u shpreh Shella.

Ndiqni intervistën e plotë: