"Spiropali zgjodhi rrugën e përballjes politike brenda mazhorancës"/ Baçi: Çdo qëndrim brenda PS interpretohet si qëndrim ndaj lidershipit
Në emisionin “Ora e Betit”, i ftuar ishte analisti Agim Baçi, i cili komentoi qëndrimet e fundit publike të Elisa Spiropalit dhe mënyrën se si ato po interpretohen në skenën politike.
Baçi u ndal te reagimet e saj në Kuvend dhe në rrjetet sociale, duke i parë si një seri lëvizjesh që vijnë pas një debati të brendshëm në Partinë Socialiste.
“Zonja Spiropali kishte disa opsione përpara saj dhe zgjodhi një që e mban në një pozicion përballjeje politike, në vend që të heshtte ose të priste një përplasje direkte në Kuvend.”-tha ai.
Sipas tij, reagimet publike të Spiropalit janë përpjekje për të mbajtur një qëndrim politik aktiv, por në të njëjtën kohë e vendosin atë në një situatë të ndërlikuar brenda mazhorancës.
Baçi shtoi se në politikën aktuale, çdo kritikë ndaj funksionimit të partisë interpretohet si kritikë ndaj drejtimit të saj, duke e bërë të vështirë ndarjen mes partisë dhe lidershipit.
“Në momentin që flasim për Partinë Socialiste, është e vështirë të ndash partinë nga lideri i saj, ndaj çdo qëndrim publik merr edhe një dimension politik më të gjerë.”- u shpreh Baçi.
Analisti u shpreh se mënyra e reagimit të Spiropalit mund të shihet si një strategji afatshkurtër për të ruajtur pozicionin e saj politik pas debatit të brendshëm në grupin parlamentar socialist.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË 'ORA E BETIT' NË ORA NEWS:

