CEO I SIGAL NË “KONVENTËN ARBËRORE”/ Avni Ponari në inaugurimin e teatrit të ri në Kalabri

Në komunën arbëreshe të San Demetrio Koronës, në Kalabri, vendlindja e ideologut të madh të Rilindjes shqiptare, Jeronim De Rada, u përurua teatri i parë arbëresh me një kapacitet prej 500 vendesh.

Ceremonia inauguruese, e zhvilluar në kuadër të “Konventës Arbërore”, u kthye në një festë që bashkoi pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe CEO i SIGAL INSURANCE GROUP, Avni Ponari, në cilësinë e administratorit të përgjithshëm të kompanisë së sigurimeve.

SIGAL rikonfirmoi angazhimin për promovimin e kulturës shqiptare dhe arbëreshe, duke mbështetur aktivitetin me praninë e 15 instrumentistëve të Orkestrës së Harqeve SIGAL, nën dirigjimin e Mjeshtrit të Madh, Ermir Dizdari.

Orkestra e Harqeve SIGAL gjallëroi skenën e teatrit të ri, duke interpretuar së bashku me solistë dhe grupin e valleve një repertor të pasur me pjesë muzikore dhe këngë shqiptare e arbëreshe. Performanca u shndërrua në një spektakël treorësh, të mbushur me emocione.

E krijuar në vitin 2013, Orkestra e Harqeve SIGAL përbëhet nga instrumentistë të njohur dhe të rinj të talentuar dhe vijon aktivitetin artistik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon. Me këtë shfaqje, ajo shtoi në repertorin e saj një tjetër skenë të rëndësishme ndërkombëtare.

Kryetari i Komunës së San Demetrio Koronës, Ernesto Madeo, falënderoi artistët dhe Avni Ponarin, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një dëshmi të fortë të lidhjeve kulturore mes botës arbëreshe dhe asaj shqiptare.

Teatri i ri arbëresh pritet të shërbejë si një qendër e rëndësishme arti, kulture dhe edukimi për brezat e rinj, duke ruajtur dhe promovuar identitetin shqiptar të komunitetit arbëresh, i cili prej më shumë se 500 vitesh ka mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat në zemër të Europës.