Hasan Prishtina, patrioti shqiptar që ia kushtoi jetën çështjes kombëtare

Në 27 prill të vitit 1873 lindi në Vushtrri të Kosovës, Hasan Prishtina.

Ai ishte pasardhësi i një familjeje të pasur. U shkollua në Selanik dhe Stamboll dhe më pas shërbeu si një zë i fuqishëm brenda Parlamentit Osman (1908–1912), për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan.

Hasan Prishtina ishte ndër nismëtarët kryesorë të Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 dhe kontribuoi në hartimin e kërkesave politike të saj, të njohura si “Programi me 14 pika”. Kontributi i tij ishte i rëndësishëm në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në konsolidimin e qeverisë së parë shqiptare.

Hasan Prishtina dëshmoi një vizion të qartë për një shtet modern, të bashkuar dhe me institucione funksionale. Karriera e tij politike u karakterizua nga përkushtimi ndaj stabilitetit dhe ndërtimit të shtetit.

Ai mbajti poste ministrore dhe shërbeu edhe si kryeministër i Shqipërisë për një periudhë të shkurtër në vitin 1921.

Pavarësisht sfidave dhe rrethanave të vështira politike, Hasan Prishtina vazhdoi me këmbëngulje misionin e tij për çlirimin e Kosovës, duke kërkuar mbështetje në kancelaritë e Fuqive të Mëdha.

Në vitin 1933, në Selanik, jeta e tij u ndërpre tragjikisht si pasojë e një atentati të organizuar nga Ibrahim Çelo.