VIDEO/ Edit Shkreli, gjykatësja e parë shqiptare në Nju Jork
Edit Shkreli, gjykatësja e parë shqiptare në Nju Jork ishte sot e ftuara e radhës e kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.
Kryeministri e cilësoi Shkrelin si një nga shqiponjat e arta të diasporës shqiptare, tashmë edhe zyrtarisht sepse u vlerësua me Shqiponjën e Artë gjatë samitit të diasporës.
Rama theksoi se Shkreli është një nga figurat përfaqësuese të diasporës shqiptare që ka bërë emër dhe ka zë në jetën publike jashtë vendit, përkatësisht në SHBA.
Aktualisht në sistemin e drejtësisë së SHBA-së janë dy gjykatës shqiptarë.
E larguar nga Shqipëria në vitin 1997, Shkreli ndau rrugëtimin e saj duke nisur nga largimi nga Shqipëria e trazirave të vitit 1997, impakti i parë me SHBA-në dhe rruga drejt suksesit si gjykatësja e parë shqiptare në Nju Jork.
Shkreli ka lindur në Shkodër dhe emigroi në Amerikë me prindërit e saj kur ishte 13 vjeçe për t’u shpëtuar trazirave të marsit 1997.
“Në vitin 1997 jeta ishte në rrezik dhe prindërit e mi nuk shihnin të ardhme për mua në Shqipëri. Sot Shqipëria është shumë më e zhvilluar se Shqipëria që kam lënë”, tha ajo.
Shkreli u shpreh se edhe pse nuk e ka menduar ndonjëherë që mund të bëhej gjykatëse, ia doli të thyente stereotipet e krijuara duke treguar se edhe emigrantët mund të arrijnë majat e sistemeve.
Ndërkohë Shkreli u shpreh se aspiron të vijojë ngjitjen në karrierë më tej duke kaluar shkallët edhe në Gjykatën e Apelit dhe pastaj Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut dhe Gjykatën Federale.
Duke folur për sistemin gjyqësor shqiptar, Shkreli u shpreh se krahasuar me 11 vite më parë, gjykatat kanë përmirësim në Shqipëri. “Vetingu ka pasur sukses”, theksoi ajo, ndërsa është përfshirë edhe si eksperte e jashtme vitet e fundit në Reformën në Drejtësi.
VIDEO - NDIQNI PODCASTIN E PLOTE ME EDIT SHKRELIN

