Frederik Ndoci rrëfen pengun e jetës/ Si një ‘cen në biografi’ i ndryshoi rrugëtimin e tij

Në emisionin “Ora e Betit”, i ftuar ishte artisti Frederik Ndoci, i cili foli për rrugëtimin e tij artistik dhe pengesat gjatë periudhës së regjimit komunist.

Ai tregoi se karriera e tij muzikore ka nisur që në vitet ’60, ku merrte pjesë në festivalet e fëmijëve dhe shpesh vlerësohej me çmime, por jo gjithmonë të parin, pasi këngët e tij nuk përputheshin me temat e kohës.

Ndoci kujtoi gjithashtu se pas përfundimit të shkollës së mesme iu përkushtua muzikës, duke u bërë pjesë e orkestrës simfonike të Shkodrës si oboist për disa vite, përpara se të angazhohej edhe në teatër dhe estradë si aktor.

Ai u ndal edhe te një nga momentet më të vështira të jetës së tij, kur një “cen në biografi” i lidhur me familjen i pengoi të vazhdonte studimet në degët që dëshironte, si filozofi apo juridik, pavarësisht rezultateve të larta në shkollë.

Sipas tij, në atë kohë e kaluara familjare ndikonte drejtpërdrejt në të ardhmen e të rinjve, duke vendosur kufij për arsimimin dhe karrierën.

Megjithatë, ai tha se këto pengesa nuk e ndalën të vazhdojë rrugën artistike, duke ndërtuar një karrierë të gjatë me qindra këngë, poezi dhe pjesëmarrje në projekte të ndryshme artistike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: