FOTO+VIDEO/ Reportazhi: Kur “Toscano” flet edhe shqip

Shqipëria bëhet një nga tregjet më interesante për purot italiane! Në zemër të Toskanës, aty ku lind puro legjendare “Toscano”

Mes kodrave të buta të Toskana, ku vreshtat dhe ullishtet shtrihen si një mozaik i gjelbër që ndërthuret me vendbanime mesjetare dhe qytete arti, lind një nga historitë më të veçanta të industrisë italiane. Ky rajon poetik i Italisë, i njohur për traditat bujqësore, verërat e famshme dhe trashëgiminë kulturore si simbol i “Made in Italy”, është gjithashtu vendlindja e një produkti që prej më shumë se dy shekujsh është bërë pjesë e identitetit italian: puro-ja Toscano.

Në këtë territor ku historia dhe ekonomia bashkëjetojnë natyrshëm, ndodhet Manifatture Sigaro Toscano, kompania që sot ruan dhe zhvillon një traditë që filloi rastësisht më shumë se 200 vjet më parë.

Por surpriza më e bukur për një gazetar shqiptar shfaqet që në hyrje të kompanisë. Në tabelën hyrëse të fabrikës, një fjalë e shkruar në shqip të tërheq menjëherë vëmendjen: “Mirësevini”. Një detaj i vogël, por simbolik, që dëshmon respektin dhe vëmendjen që kjo kompani ka për vizitorët dhe për tregjet me të cilat bashkëpunon.

Një histori që fillon nga një rastësi

FOTO+VIDEO/ Reportazhi: Kur “Toscano” flet edhe shqip

Historia e puros Toscano fillon në vitin 1815, në Manifakturën e Duhanit në Firence. Në një ditë vere, një stuhi e papritur përfshiu qytetin dhe lagu një sasi të madhe duhani që ishte lënë të thahej në diell.

Në vend që të hidhej poshtë, u vendos të përdorej për të prodhuar një lloj puroje më të lirë për popullin. Por ajo që ndodhi ishte e papritur: fermentimi i krijuar nga lagështia i dha duhanit një aromë të veçantë, të fortë dhe të tymosur, që nuk ishte provuar më parë.

Kështu lindi shija karakteristike e puros Toscano, një shije e fortë dhe autentike që shumë shpejt fitoi popullaritet në të gjithë Italinë.

Në vitin 1818 filloi prodhimi i rregullt dhe që prej asaj kohe kjo puro është bërë pjesë e historisë industriale dhe kulturore italiane.

Një industri që prodhon qindra miliona puro çdo vit

Sot Manifatture Sigaro Toscano prodhon çdo vit mbi 230 milionë puro, në stabilimentet e saj në Lucca dhe Cava de’ Tirreni.

Rreth 25 për qind e prodhimit eksportohet në tregjet ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2022 kompania realizoi një xhiro prej rreth 123 milionë eurosh.

Në total kompania ka rreth 420 punonjës, të shpërndarë në fabrikat e saj në Itali dhe në disa zyra jashtë vendit, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku menaxhohet një pjesë e rëndësishme e rrjetit të eksportit dhe tregtisë ndërkombëtare.

Brenda territorit të fabrikës ndodhet gjithashtu edhe një zyrë e Guardia di Finanza, policisë financiare italiane, e cila mbikëqyr vazhdimisht proceset e prodhimit dhe qarkullimit të produktit për të garantuar transparencë dhe për të parandaluar kontrabandën në një sektor kaq të ndjeshëm si ai i duhanit.

Nga gjethet e duhanit tek puroja e përfunduar

Procesi i prodhimit të një puroje Toscano është një kombinim i traditës dhe teknologjisë moderne.

Gjithçka fillon me përzgjedhjen e duhanit Kentucky, një duhan i veçantë i tharë me zjarr (fire-cured), i njohur për aromën e tij të fortë dhe karakteristike, me nuanca tymi, druri, dheu, lëkure dhe kafeje të pjekur. Ky duhan ka një përmbajtje të lartë nikotine dhe kultivohet kryesisht në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara.

Pas korrjes, gjethet e duhanit i nënshtrohen një procesi të gjatë tharjeje dhe fermentimi që i jep aromën dhe strukturën e tyre karakteristike.

Në fabrikë, prodhimi ndahet në dy linja kryesore.

FOTO+VIDEO/ Reportazhi: Kur “Toscano” flet edhe shqip

E para është reparti i prodhimit me makineri, ku teknologjia moderne lejon prodhimin në shkallë të gjerë. Në këtë linjë, makineritë përpunojnë duhanin, formojnë trupin e puros, e mbështjellin dhe e presin sipas dimensioneve të sakta. Ky proces garanton prodhim të shpejtë dhe standard të një cilësie të lartë.

Por pjesa më magjepsëse e fabrikës është pa dyshim reparti i prodhimit artizanal, ku purot përgatiten ende me dorë, sipas një tradite që ka kaluar brez pas brezi.

Reparti unik i grave që prodhojnë puro me dora

Në këtë repart punojnë rreth 50 gra profesioniste, të cilat janë ndër mjeshtret më të specializuara të këtij zanati.

Çdo ditë secila prej tyre përgatit rreth 500 puro me dorë, një proces që kërkon përvojë të gjatë, saktësi dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme në përzgjedhjen dhe rrotullimin e gjetheve të duhanit.

Ky repart konsiderohet unik në Europë, sepse shumë pak industri kanë arritur të ruajnë deri sot prodhimin tradicional të puros me punim tërësisht manual.

Ky profesion i veçantë trashëgohet shpesh nga një brez tek tjetri, duke e kthyer këtë punë jo vetëm në një aktivitet industrial, por edhe në një zanat historik që ruan identitetin e kompanisë.

Shqipëria, një treg gjithnjë e më i rëndësishëm

Sipas drejtorit të eksporteve të kompanisë, Anton Giulio Coppa Benati, tregu shqiptar ka fituar një rëndësi të veçantë për kompaninë.

Ai thekson se Shqipëria tashmë është ndër dhjetë vendet europiane që konsumojnë më shumë puro Toscano, një zhvillim që ka shtuar interesin e kompanisë për bashkëpunim me vendin tonë.

“Shqipëria është një treg shumë interesant për ne dhe aktualisht po studiojmë mundësinë e zhvillimit të kultivimit të duhanit Kentucky në veri të vendit”, shpjegon ai.

Një projekt i tillë do të krijonte një lidhje të re ekonomike mes traditës historike italiane të duhanit dhe potencialit bujqësor të Shqipërisë.

Një markë historike e industrisë italiane

Së fundmi, një tjetër moment i rëndësishëm u shtua në historinë e kësaj puroje: Antico Toscano është njohur zyrtarisht si “Marchio Storico di Interesse Nazionale”, një titull që jepet nga Ministria e Ndërmarrjeve dhe Made in Italy për markat që kanë më shumë se 50 vite histori dhe që përfaqësojnë ekselencën prodhuese të vendit.

Për ta festuar këtë moment, kompania ka prezantuar një edicion special të Antico Toscano, me tre versione grafike që rikujtojnë paketimet historike të kësaj puroje ikonike.

Një eksperiencë unike: rituali i provës së puros

Një nga përvojat më të veçanta që ofron kompania është edhe rituali i provës së puros, një moment i rezervuar për ekspertë të industrisë, shpërndarës, shitës dhe sipërmarrës që duan të njohin më nga afër cilësinë dhe karakterin e këtij produkti historik.

Në këto sesione degustimi, të ftuarit kanë mundësinë të provojnë lloje të ndryshme të puros Toscano dhe të mësojnë mënyrën e duhur të vlerësimit të aromës, strukturës dhe intensitetit të duhanit. Nuk bëhet fjalë thjesht për të ndezur një puro, por për një ritual të vërtetë kulture dhe tradite, që kërkon kohë, vëmendje dhe njëfarë edukimi të shijes.

Kjo përvojë shoqërohet zakonisht me një gotë vermuth dhe me çokollata artizanale të prodhuara në Toskanë, kombinime të zgjedhura posaçërisht për të theksuar aromat karakteristike të duhanit Kentucky të përdorur në prodhimin e puros.

Në këtë mënyrë, kompania jo vetëm prezanton produktin e saj, por edhe promovon një kulturë të tërë rreth puros Toscano një traditë që bashkon mjeshtërinë artizanale, historinë dhe kënaqësinë e një rituali që kërkon kohë dhe elegancë.

Dhe ndërsa kjo histori vazhdon të shkruhet prej më shumë se dy shekujsh, në hyrje të fabrikës mbetet një fjalë e thjeshtë që të bën të ndihesh i mirëpritur: “Mirësevini”.

Një fjalë që, në mënyrën e saj, tregon se edhe në zemër të Toskanës, tradita dhe kultura shqiptare kanë gjetur një vend të vogël, por domethënës.