Dy sportiste të reja i shtohen bursave të KOK-ut për Lojërat Olimpike 2028
Erza Muminovic nga sporti i xhudos dhe Sara Pllana nga ai i gjimnastikës janë përfituese të bursave nga Komiteti Olimpik i Kosovës me synimin për t’u përgatitur sa më mirë për të arritur normën për Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi tha se këto dy sportiste kanë arritur rezultatet të shkëlqyeshme dhe se ato do të punojnë për të arritur normën olimpike.
“Po i nënshkruajmë dy bursa shtesë për përgatitjet e Los Anxhelos 2028. Siç e dini Komiteti Olimpik i Kosovës vjet i ka pasur 32 bursa, kurse këtë vit i ka 34. Po i shtohen edhe dy bursiste të reja, Erza dhe Sara, të cilat kanë arritur rezultat të shkëlqyeshëm dhe shpresojmë që do t’i marrin edhe normat për Lojërat Olimpike në Los Anxhelos”, theksoi Krasniqi.
Sportistet e reja shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen.
“Falenderoj Komitetin Olimpik për bursën olimpike. Po mendoj që kjo mundësi është një hap i rëndësishëm për mua të vazhdoj me punë edhe përkushtim për garat e ardhshme dhe për Lojërat Olimpike në Los Anxhelos 2028”, u shpreh Muminovic.
Ndërsa Sara Pllana tha se do të punojë fuqishëm për ta bërë Kosovën krenare në garat që merr pjesë.
“Unë e falenderoj shumë Komitetin për bursën e ndarë ndaj meje. Unë do të vazhdoj të punoj në të ardhmen për të bërë Kosovën krenare”, tha Pllana.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, deklaroi se fokusi kryesor i komitetit do të jetë gjithmonë te sportistët, të cilët po e bëjnë Kosovën krenare në arenën ndërkombëtare.
/KosovaPress/

