Humbja e peshës, rol kyç në trajtimin e osteoartritit të gjurit

Humbja e vetëm 4 kilogramëve mund të reduktojë ndjeshëm presionin mbi gjunjë, tregoi një studim i kryer nga një ekip shkencëtarësh në Universitetin Wake Forest, Shkolla e Mjekësisë në Winston-Salem, Karolina e Veriut.

Humbja e një peshe trupore, relativisht të vogël mund të ketë përfitime të mëdha për shëndetin e kyçeve, veçanërisht për gjunjët, sipas revistës shkencore “The Journal of Rheumatology”.

Një studim i kryer nga Stephen P. Messier dhe kolegët e tij në Departamentin e Shëndetit dhe Shkencës së Ushtrimeve, në Universitetin Wake Forest, Shkolla e Mjekësisë në Winston-Salem, Karolina e Veriut, SHBA, ka treguar se humbja e një peshe trupore prej vetëm 4 kilogramësh, mund të çojë në një reduktim të konsiderueshëm të ngarkesës mbi gjunjë.

Studimi analizoi të rritur që ishin mbipeshë dhe obezë me osteoartrit të gjurit – duke përdorur analizë tredimensionale të ecjes, dhe zbuloi se për çdo kilogram të humbur, presioni mbi nyjet e gjurit ulej disa herë gjatë aktiviteteve të përditshme si, ecja apo ngjitja e shkallëve.

Kjo tregon se një rënie prej 4 kilogramësh mund të reduktojë deri në rreth 16 kilogramë ngarkesë të akumuluar mbi gjunjë, duke ndihmuar në uljen e stresit mekanik mbi këto struktura të ndjeshme.

Ky efekt është veçanërisht i rëndësishëm për personat që vuajnë nga osteoartriti, një sëmundje që shkakton dhimbje dhe kufizim të lëvizjes.

Ekspertët theksojnë se edhe ndryshimet e vogla në peshë, mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës, duke rritur lëvizshmërinë dhe duke reduktuar nevojën për trajtime më invazive në të ardhmen.