“Mbetjet” në tru mund të rrisin rrezikun për psikozë – Sinjalet nisin që në fëmijëri
Një studim i ri shkencor sugjeron se grumbullimi i “mbetjeve” në tru, për shkak të një sistemi të dëmtuar pastrimi, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e psikozës, përfshirë edhe çrregullime si skizofrenia, sipas “Science Alert”.
Studimi u realizua nga një ekip kërkimor në Universitetin e Gjenevës, (UNIGE), Zvicër- konkretisht në Departamentin e Psikiatrisë dhe Qendrës për Neuroshkencë në Shëndetin Mendor (Synapsy).
Rezultatet u publikuan në revistën shkencore “Biological Psychiatry: Global Open Science”. Autori kryesor i studimit është Alessandro Pascucci.
Çfarë zbuloi studimi?
Shkencëtarët u fokusuan tek sistemi glinfatik – rrjeti i trurit që largon mbetjet metabolike, toksinat dhe substancat e tepërta gjatë funksionimit normal.
Kur ky sistem nuk funksionon si duhet, mbetjet mund të grumbullohen në tru.
Ky grumbullim mund të ndikojë në ekuilibrin kimik të trurit dhe në aktivitetin nervor.
Si pasojë, rritet rreziku për çrregullime psikotike.
Studiuesit zbuluan se sa më i dobët të jetë ky sistem pastrimi, aq më i madh është çrregullimi mes neurotransmetuesve – një çekuilibër që lidhet drejtpërdrejt me psikozën.
Ndryshimet nisin që në fëmijëri
Një nga gjetjet më të rëndësishme është se këto probleme mund të shfaqen shumë herët, që në fëmijëri dhe mund të zhvillohen gradualisht për vite me radhë dhe janë të pranishme shumë përpara se të shfaqen simptomat e para klinike.
Studimi analizoi persona me sindromën e delecionit (fshirjes) kromozomale – një çrregullim gjenetik që lidhet me një rrezik të lartë (30–40%) për zhvillimin e psikozës.
Si funksionon sistemi i “pastrimit” të trurit?
Sistemi glinfatik është përgjegjës për largimin e mbetjeve nga truri përmes qarkullimit të lëngut cerebrospinal.
Ai është veçanërisht aktiv gjatë gjumit dhe ndihmon në mbajtjen e trurit “pastër” dhe funksional.
Kur ky sistem dëmtohet rritet inflamacioni në tru, mund të ndodhë “mbingacmim” i neuroneve, dëmtohen zona të rëndësishme si hipokampusi (i lidhur me kujtesën dhe mendimin).
Rëndësia për diagnostikim dhe parandalim
Studiuesit theksojnë se këto zbulime mund të kenë rëndësi të madhe për zbulimin e hershëm të individëve në rrezik, për parandalimin ose vonimin e shfaqjes së psikozës dhe zhvillimin e terapive që synojnë përmirësimin e funksionit të këtij sistemi.
Ky studim ofron një perspektivë të re mbi origjinën e psikozës, duke sugjeruar se ajo mund të mos shfaqet papritur, por të jetë rezultat i një procesi të gjatë biologjik që fillon që në moshë të hershme.
Dëmtimi i “sistemit të pastrimit” të trurit mund të jetë një nga hallkat kyçe – që lidh zhvillimin e hershëm të trurit me çrregullimet mendore në të ardhmen.

