SHBA riklasifikon kanabisin dhe i hap rrugën përdorimit mjekësor
Ministri amerikan i Drejtësisë ka njoftuar riklasifikimin e kanabisit në një kategori më pak kufizuese, një vendim që synon të lehtësojë përdorimin e tij për qëllime mjekësore, por edhe të hapë rrugën për një depenalizim më të gjerë në nivel federal.
”Ky vendim vjen pas një dekreti presidencial të nënshkruar më 18 dhjetor nga Donald Trump, i cili synon të inkurajojë kërkimin shkencor mbi kanabisin”, thuhet në një deklaratë të ministrit të përkohshëm të Drejtësisë, Todd Blanche.
Megjithëse tre të katërtat e amerikanëve jetojnë tashmë në shtete ku kanabisi është i ligjshëm, ky vendim nuk e depenalizon ende atë në nivel federal.
Megjithatë, ai e zhvendos kanabisin nga kategoria 1 – më e larta në klasifikim, ku përfshihen droga si heroina, LSD apo ekstazia – në kategorinë 3, e cila përfshin substanca me rrezik të moderuar ose të ulët varësie si disa barna me kodeinë.
Për më tepër, ministri njoftoi nisjen e një “procesi administrativ të përshpejtuar për të shqyrtuar një riklasifikim më të gjerë të kanabisit”, jo vetëm për përdorim mjekësor, duke filluar nga 29 qershori.
“Këto masa do të mundësojnë zhvillimin e kërkimeve më të fokusuara dhe më rigoroze mbi sigurinë dhe efektivitetin e marijuanës, do të zgjerojnë aksesin e pacientëve në trajtime dhe do t’u lejojnë mjekëve të marrin vendime më të informuara për shëndetin”, tha ministri.
Kjo klasifikim i ri federal mund të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike, duke lehtësuar kufizimet për kompanitë që kultivojnë ose tregtojnë kanabis.
Paraardhësi demokrat i Trump, Joe Biden, kishte shtyrë për një depenalizim federal të kanabisit, por kjo nismë nuk arriti të realizohej.
Kanabisi, një derivat i kërpit, ishte klasifikuar në kategorinë 1 në vitin 1970, gjatë presidencës së Richard Nixon, i cili shpalli një “luftë totale kundër drogërave të paligjshme”.

