ASPIRINË PËR KANCERIN! Mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes, ulje të rrezikut për pacientët

Një nga ilaçet më të përdorura në botë, Aspirin, po shfaq potencial të ri në luftën kundër kancerit. Studimet tregojnë se përdorimi i saj i rregullt mund të ulë ndjeshëm rrezikun e disa formave të sëmundjes. Megjithatë, ekspertët theksojnë se përdorimi duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.

Një nga ilaçet më të vjetra dhe më të përdorura në botë, Aspirina, po rezulton se ka përfitime shumë më të mëdha sesa thjesht lehtësimi i dhimbjeve.

Studime të fundit sugjerojnë se ajo mund të parandalojë formimin dhe përhapjen e disa llojeve të kancerit, duke ndikuar tashmë në politikat shëndetësore në disa vende. Historia e këtij zbulimi lidhet me pacientë realë.

Një britanik, i diagnostikuar me Lynch Syndrome një gjendje që rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të zorrës së trashë u bë pjesë e një studimi klinik që testonte efektin e dozave të përditshme të aspirinës.

Pas më shumë se 10 vitesh përdorimi, ai nuk ka zhvilluar kancer, duke dhënë shpresë për pacientë të tjerë me rrezik të lartë.

Studime të udhëhequra nga John Burn kanë treguar se pacientët me këtë sindromë që morën aspirinë për të paktën dy vite, reduktuan rrezikun e kancerit të zorrës së trashë me rreth 50%.

Kërkime të tjera kanë treguar se aspirina mund të ulë edhe rrezikun e rikthimit të kancerit tek pacientët që tashmë janë trajtuar, veçanërisht në rastet me mutacione të caktuara gjenetike.

Në disa vende si Suedia, këto zbulime kanë çuar në ndryshime konkrete në praktikat mjekësore, duke përfshirë përdorimin e aspirinës si pjesë e trajtimit parandalues.

Por si funksionon aspirina kundër kancerit? Shkencëtarët besojnë se ajo vepron në disa mënyra.

Një mekanizëm lidhet me frenimin e enzimës Cox-2, e cila ndihmon në rritjen e qelizave tumorale.

Një tjetër teori sugjeron se aspirina ndihmon sistemin imunitar të identifikojë dhe shkatërrojë qelizat kancerogjene, duke penguar përhapjen e tyre në trup.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se aspirina nuk është e përshtatshme për të gjithë. Ajo mund të shkaktojë efekte anësore serioze si gjakderdhje të brendshme apo ulçera në stomak.

Për këtë arsye, përdorimi i saj si masë parandaluese duhet të bëhet vetëm me këshillën e mjekut.

Ndërsa kërkimet vazhdojnë, studiues si Ruth Langley po drejtojnë studime të mëdha ndërkombëtare për të kuptuar nëse aspirina mund të ndihmojë edhe në parandalimin e llojeve të tjera të kancerit.