Italia rol lider në Evropë për zhdukjen e hepatitit C
Italia synon eliminimin e hepatitit C deri në vitin 2030, shkruan salute.eu.
Në luftën kundër kësaj sëmundjeje, Italia ka tashmë një rol lider në Evropë.
“Në Itali, ku përhapja e personave të prekur nga hepatiti C është më e ulët krahasuar me vende të tjera, është bërë një zgjedhje shumë e zgjuar”, shpjegon profesori Emanuele Nicastro, hepatolog pediatrik dhe nënkryetar i SIGENP.
Bëhet fjalë për strategjinë e mikro-eliminimit përmes screening-ut brenda spitaleve, që parashikon integrimin e testit HCV në analizat e gjakut që janë tashmë të planifikuara në rrugët klinike.
Një mënyrë e thjeshtë, e qëndrueshme dhe efektive, e aftë për të identifikuar infeksionet e padiagnostikuara dhe për të garantuar një qasje të shpejtë në trajtim, duke ulur rrezikun e komplikimeve të rënda si cirroza dhe tumori i mëlçisë”.
Puna që Italia ka bërë për të identifikuar personat e prekur nga hepatiti C ka sjellë rezultate konkrete.
Në pesë vitet e fundit janë kryer kontrolle (screening) për mbi 3,1 milionë persona dhe janë identifikuar më shumë se 19 000 infeksione aktive.
Sipas ekspertëve, është gjithashtu domethënëse që “rreth 4 mijë persona pa faktorë të njohur rreziku janë futur në trajtim”, çka tregon se numri i rasteve të padiagnostikuara mbetet ende i konsiderueshëm.
Këto të dhëna u prezantuan gjatë një konference të organizuar nga Istituto Superiore di Sanità në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, një takim i dedikuar aleancave kundër hepatiteve virale dhe sëmundjeve të mëlçisë.
Të dhënat i paraqiti Loreta Kondili, përgjegjëse për monitorimin kombëtar të screening-ut për HCV, e cila shpjegoi se ”janë testuar mbi 3,1 milionë persona dhe janë identifikuar më shumë se 19 000 infeksione aktive në pesë vitet e fundit”.
Ndërsa shtoi se “rreth 4 000 persona pa faktorë të njohur rreziku janë nisur drejt trajtimit”.

