Nga 6 mijë nxënës në finale/ Rama në Festivalin e Shkencës: Brezi i ri do ndryshojë Shqipërinë me teknologji dhe inovacion

Në Tiranë u mbajt finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, ku qindra nxënës nga e gjithë Shqipëria prezantuan projekte inovative dhe ide konkrete në fushën e teknologjisë dhe kërkimit shkencor.

Ky aktivitet erdhi pas një rrugëtimi disa mujor që përfshiu rreth 300 gjimnaze dhe mbi 6 mijë nxënës.

Në ceremoninë e shpalljes së fituesve ishte i pranishëm edhe Edi Rama, i cili falënderoi nxënësit për angazhimin dhe e cilësoi këtë festival si një hap të rëndësishëm për të nxitur dijen dhe inovacionin tek të rinjtë.

Ai u ndal te rëndësia e përfshirjes së brezit të ri në teknologji dhe zhvillim, duke nënvizuar se Shqipëria ka nevojë për energjinë dhe idetë e tyre për të ecur përpara.

Sipas tij, vendi ka bërë përparime të dukshme në dixhitalizimin e shërbimeve publike, por ende ka punë për të bërë në sektorin privat, sidomos në mbështetjen e startupeve dhe ideve të reja.

Ai shtoi se do të rriten financimet për të rinjtë që duan të zhvillojnë projekte teknologjike dhe inovative.

Në përfundim të festivalit, vendin e parë e fitoi shkolla e mesme “Zhani Ciko” në Patos, me një projekt që lidhet me rëndësinë e bletëve dhe ndërthurjen e teknologjisë me natyrën. Projekti u vlerësua për mesazhin mbi mbrojtjen e mjedisit dhe qasjen krijuese.