Pse ndiheni gjithmonë të lodhur? Mjekët zbulojnë shkaqet që shumica i injoron

Mjekët shpjegojnë se ndjenja e lodhjes dhe përgjumjes gjatë ditës është një problem i zakonshëm, por jo gjithmonë i lidhur vetëm me mungesën e gjumit.

Sipas specialistëve, shkaqet mund të jenë të ndryshme, duke filluar nga stresi i përditshëm, problemet emocionale, ndryshimet sezonale, deri te mungesa e një rutine të rregullt gjumi.

Lodhja nuk është e njëjtë me përgjumjen. Përgjumja lidhet më shumë me nevojën për gjumë gjatë gjithë kohës, ndërsa lodhja është mungesë energjie që e bën të vështirë kryerjen e aktiviteteve të përditshme, edhe kur personi ka fjetur.

Ekspertët këshillojnë që në rastet kur lodhja zgjat dhe ndikon në jetën e përditshme, duhet kërkuar ndihmë mjekësore. Mjekët zakonisht kontrollojnë stilin e jetesës, dietën dhe ndryshimet e fundit në rutinë për të gjetur shkakun.

Një rol të rëndësishëm luan edhe ushqimi. Mungesa e hekurit, vitaminave dhe proteinave mund të sjellë lodhje të vazhdueshme. Po ashtu, anemia është një nga shkaqet më të shpeshta të kësaj gjendjeje.

Në disa raste, lodhja lidhet edhe me sëmundje si problemet e zemrës ose me ndryshime hormonale si menopauza.

Një nga faktorët më të zakonshëm mbetet gjumi i parregullt. Mjekët rekomandojnë 7 deri në 8 orë gjumë çdo natë, pasi mungesa e tij ose oraret e çrregullta ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë gjatë ditës.

Sipas specialistëve, një kombinim i ushqimit të shëndetshëm, gjumit të rregullt dhe menaxhimit të stresit është çelësi për të shmangur lodhjen kronike.