Gabimet që bëjmë me kremin kundër diellit/ Si të mbroheni vërtet nga rrezet UV

Mjekët po paralajmërojnë se shumë njerëz nuk e përdorin si duhet kremin kundër diellit, duke rritur rrezikun nga dëmtimet e lëkurës dhe rrezet UV.

Sipas specialistëve, gabimi më i shpeshtë është që kremi nuk aplikohet në të gjithë trupin. Shpesh harrohen zonat nën rroba ose pjesët e vështira për t’u arritur, gjë që lë lëkurën të pambrojtur.

Një tjetër këshillë e rëndësishme lidhet me faktorin mbrojtës. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e SPF 50, edhe në ditë me re apo shi. Sipas tyre, përdorimi i faktorëve më të ulët nuk sjell përfitim shtesë për vitaminën D, siç mendohet shpesh.

Po ashtu, shumë njerëz e vendosin kremin shumë vonë, zakonisht pasi kanë mbërritur në plazh.

Mjekët sqarojnë se kremi duhet vendosur të paktën 30 minuta para ekspozimit në diell dhe duhet riaplikuar çdo dy orë. Në rast noti apo djersitjeje, ai duhet vendosur më shpesh.

Ekspertët theksojnë se përdorimi i saktë i kremit kundër diellit është një nga mënyrat më të thjeshta për të mbrojtur lëkurën nga dëmtimet afatgjata.