50 VITE IRON MAIDEN! Grupi rrëfen nga kulmi i suksesit në vitet ’80 te krizat personale! Rikthimi dhe mbijetesa në një industri që ndryshon vazhdimisht (VIDEO)
Pas më shumë se pesë dekadash në skenë, grupi legjendar Iron Maiden vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj të muzikës Heavy Metal. Anëtarët e grupit rrëfejnë sfidat e një karriere të gjatë, nga sukseset e viteve ’80 deri te turnetë gjigante të sotme, historia e tyre është një përzierje triumfi dhe vështirësish personale.
Londër, viti 1975. Në një skenë muzikore të dominuar nga punk-u dhe rrymat e reja, një grup i ri me një tingull të fortë dhe ambicie të mëdha nis të ndërtojë identitetin e tij.
Steve Harris, themeluesi kryesor i Iron Maiden, kujton se gjithçka nisi me koncerte të vogla dhe një besim të palëkundur se muzika e tyre do të gjente rrugën drejt publikut.
Vitet ’80 shënuan shpërthimin e madh. Me albume tashmë ikonike si The Number of the Beast dhe Powerslave, grupi u kthye në një fenomen global.
Në këtë periudhë, hyrja e vokalistit Bruce Dickinson i dha një dimension të ri muzikës së tyre, me një stil vokal unik dhe rrëfime epike që shndërruan këngët në histori të plota.
Por pas suksesit erdhën edhe vështirësitë. Turnetë e gjata dhe presioni i vazhdueshëm krijuan lodhje fizike dhe mendore.
Vetë Dickinson pranon se në një moment mendoi të linte gjithçka pas dhe të ndiqte një rrugë krejt tjetër, larg muzikës. Edhe brenda grupit, mungesa e komunikimit dhe drejtimet e ndryshme artistike çuan në largime të rëndësishme gjatë viteve ‘90.
Kjo dekadë u shoqërua me rënie të popullaritetit, ndërsa muzika rock po ndryshonte drejtim.
Megjithatë, pavarësisht sfidave, grupi nuk u shpërbë. Rikthimi i Dickinson dhe kitaristit Adrian Smith në fund të viteve ’90 shënoi një pikë kthese, duke i dhënë një jetë të re projektit dhe duke rikthyer energjinë që i kishte bërë të famshëm.
Sot, pas më shumë se pesëdhjetë vitesh, Iron Maiden vazhdon të mbetet një nga grupet më të rëndësishme të muzikës heavy metal. Turnetë e tyre mbushin stadiume, ndërsa muzika vazhdon të evoluojë pa humbur identitetin.

