Tabaku: Parlamenti po devijon procesin e integrimit, BE kërkon më shumë transparencë dhe përfshirje të opozitës
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, teksa mori fjalën në Kuvend, akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se prej 12 vitesh ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi se Komisioni i Jashtëm i PE-së pritet të shqyrtojë një raport më 5 maj, në të cilin theksohen një sërë problematikash, ku i kërkohet parlamentit shqiptar që të përfshijë opozitën në procedura, të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese si dhe të mos mbrojë të korruptuarit.
Tabaku theksoi se ajo që bënë socialistët javë më parë, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin ish zv kryeministres Belinda Balluku, e vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera, nuk është në mbështetje të procesit të integrimit.
“Parlamenti duhet të ketë një proces që nuk miraton ligje që shkelin direktivat e BE. Kjo ka ndodhur në 3 muajt e fundit rëndom. Në secilin prej grup kapitujve të integrimit. Këtë e thotë edhe raporti që Komisioni i Jashtëm i PE do të miratojë. Këtu në fakt u thanë shumë të pavërteta.
E para raporti i kërkon parlamentit që të përfshijë opozitën në procedura parlamentare, i kërkon qeverisë që të ketë një proces ligjor e transparent dhe jo nga ato që bëni 10 orë kur miratohen ligjet pa asnjë debat, i kërkon parlamentit të zbatojë vendimet e GJK, të mos cenojë reputacionin e SPAK me presion politik dhe së fundmi i kërkon parlamentit që çështjet e imunitetit të trajtohen pa pasur mbrojtje politike.
Ajo që ndodhi këtu 2 muaj më parë nuk është në mbështetje të integrimit. Shqetësimi është procesi i integrimit në Shqipëri që ka 12 vite që mbetet i bllokuar.”, tha Tabaku.
