Vjerdha: Kriza ekonomike po varfëron qytetarët dhe po pasuroin shtetin!
QQ propozon masa për mbrojtjen e konsumatorit dhe ekonomisë vendase.
Familjet shqiptare po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve për ushqimet, karburantet dhe mallrat bazë. Por si po fiton shteti nga kriza?
Të ardhurat nga TVSH-ja muajin e fundit arritën 214.7 milione euro, me një rritje vjetore prej 14%, ndërsa edhe në muajin paraardhës rritja ishte 5.5%. Sa më shumë rriten çmimet në treg, aq më shumë para futen në arkën e shtetit nga konsumi i detyruar i qytetarëve.
Ndërkohë, nga ana tjeter ekonomia shqiptare po bëhet gjithnjë e më e varur nga importet. Vetëm gjatë muajit mars, importet e mallrave arritën në 841 milion euro, me rritje 8.8% krahasuar me një vit më parë dhe 17.9% krahasuar me shkurtin 2026.
Edhe më alarmante është situata me ushqimet. Në pesë vitet e fundit, importet e produkteve ushqimore janë rritur me 23%, ndërsa vetëm gjatë tremujorit të parë 2026 vetem importet e grurit u rritën me 55% në sasi.
Përballë kësaj krize, qeveria nuk ka ofruar asnjë paketë reale lehtësuese. Masa e vetme mbeti ulja me 8 lekë e akcizës vetëm nëse çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër, si dhe kompensime të përkohshme për transportin publik vetëm pasi sektori bllokoi qarkullimin.
Në këtë situatë, Qëndresa Qytetare vazhdon të propozojë masa konkrete dhe të realizueshme për mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin e ekonomisë vendase. Mes tyre është rishikimi i sistemit fiskal përmes aplikimit të TVSH-së së diferencuar për produktet bazë dhe shërbimet jetike, në mënyrë që barra tatimore të mos rëndojë njësoj mbi bukën, qumështin.
QQ kërkon rishikimin e strukturës së çmimit të karburantit, pasi kostoja e lartë e tij ndikon zinxhir në rritjen e çmimeve të ushqimeve, transportit dhe kostos së prodhimit vendas. Karburanti i shtrenjtë penalizon fermerin shqiptar, rrit çmimin e produkteve vendase dhe i bën ato më pak konkurruese në treg.
Një tjetër domosdoshmëri mbetet krijimi i një skeme të qartë subvencionimi për bujqësinë dhe blegtorinë, me synim rritjen e prodhimit vendas dhe uljen e varësisë nga importet. Shqipëria nuk mund ta mbështesë sigurinë ushqimore vetëm te produktet që vijnë nga Turqia, vendet e Amerika e Jugut apo shtetet fqinje të Ballkanit.
Një shtet që mbush arkën duke zbrazur xhepat e qytetarëve, ndërkohë që fondet publike humbasin në korrupsion dhe abuzim, pa u kthyer në shërbime cilësore apo mbështetje sociale, tregon fytyrën e një qeverisjeje të babëzitur.
E kur kriza për qytetarët kthehet në fitim për shtetin, problemi nuk është vetëm ekonomik, por moral dhe politik.
