Administrata injoron ligjin për faljen e taksave, qytetari në Fier detyrohet të paguajë më shumë

Problematika e radhës e transmetuar në emsionin “Stop”, mbrëmjen e sotme më 22 prill, kishte të bënte me denoncimin e qytetarit Fadil Yzeiraj, nga fshati Varibop i Njësisë Administrative Cakran në Fier, i cili është detyruar të paguajë 860 mijë lekë taksa për tokën dhe ndërtesën, të papaguara që nga viti 2011, me qëllim certifikimin e pronave të tij.

“Unë i kisha papaguar për arsye ekonomike, ngaqë isha papunë”, u shpreh qytetari.

Sipas ligjit, që parashikon fshirje dhe ulje të detyrimeve tatimore nga viti 2026, Yzeiraj nuk duhej të paguante taksa për periudhën 2011–2014, dhe për vitet 2015–2019, duhej të paguante vetëm 50% të detyrimit, ndërsa për vitet e tjera vetëm kamatëvonesat deri në 2024.

Megjithatë, nga administrata vendore i është kërkuar pagesë 100% pa aplikuar lehtësitë ligjore.

Ai tregon, se është informuar vetë për ligjin dhe ka kërkuar sqarime në njësinë administrative, ku është përballur me mungesë informacioni.

“Shkoj te Njësia Administrative Cakran dhe u them atyre zonjave qënka ulur taksa e tokës, jo, më tha mua, s’di gjë unë, tha. Bëra fjalë aty me të, megjithatë unë i thashë, nesër në mëngjes unë do bie ligjin këtu”, rrëfen qytetari.

Specialistja e administratës, Marinela Shuteriqi, ka deklaruar, se çështja do të zgjidhet, por kërkohet dokumentacion zyrtar për të bërë rillogaritjen.

Rasti u referua zyrtarisht në Bashkinë e Fierit, e cila pranoi, se qytetari ka paguar më shumë, se sa duhet dhe se do të bëhet rillogaritje, me mundësi kthimi të parave, ose kompensimi të tyre si detyrim tatimor në vijim.

/Emisioni STOP