EMRI/ Drejtësia italiane arkivon dosjen e vdekjes së 34-vjeçarit shqiptar, mister autorësia
Autoritetet italiane kanë vendosur të arkivojnë dosjen për vdekjen e 34-vjeçarit shqiptar Klaudio Myrtaj, i cili humbi jetën pas një të shtënë në nëntor të vitit 2023 në Vernante të Cuneos, duke përjashtuar përfundimisht pistën e vrasjes.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja hetuese Sabrina Nocente, e cila hodhi poshtë kërkesën e familjes për vijimin e hetimeve. Sipas prokurorisë, ngjarja nuk konsiderohet vrasje, por lidhet me një të shtënë të pasigurt, pa prova për një sulm të qëllimshëm.
Myrtaj u gjet i plagosur rëndë në oborrin e bashkisë dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Hetimet u mbështetën kryesisht në elementë teknikë, ndërsa autorësia e të shtënës mbetet ende e paqartë.
Ekspertiza ka ngritur dyshime mes një aksidenti ose një akti të vullnetshëm, por pa prova të mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin e prokurorisë. Ndërkohë, arma e përdorur, një pistoletë kalibri 22, u gjet më vonë në një sirtar në vendin e punës, pa gjurmë gishtash dhe në posedim të paligjshëm.
Pavarësisht elementeve të dyshimta dhe kërkesave të familjarëve për hetime të mëtejshme, drejtësia italiane e ka mbyllur çështjen, duke e lënë ngjarjen pa autor të identifikuar dhe me shumë pikëpyetje të pazgjidhura.
